Bebe Rexha bën histori në muzikën country: Në krye të listës së Billboard për këngët më të dëgjuara të shekullit
Një tjetër sukses madhështor për Bebe Rexhën! Artistja shqiptare me famë botërore është renditur në vendin e parë në listën e 100 këngëve më të dëgjuara të muzikës country në shekullin 21, të publikuar nga Billboard.
Kënga “Meant To Be”, bashkëpunimi i saj me Florida Georgia Line, ka zënë majën e kësaj liste prestigjioze, duke lënë pas emra të mëdhenj të zhanrit country dhe duke konfirmuar ndikimin e jashtëzakonshëm të Rexhës edhe jashtë kufijve të pop-it ku ajo u bë e njohur fillimisht.
Vetë këngëtarja ndau këtë arritje në Instagram me ndjekësit e saj, duke rishpërndarë postimin zyrtar të Billboard dhe duke shprehur krenarinë për vendin që i është dhënë në historinë e muzikës amerikane.
Lista është hartuar duke analizuar performancën e këngëve në tabelën Top Country Songs gjatë 25 viteve të para të këtij shekulli, dhe prania e një shqiptareje në krye të saj është një moment historik për muzikën dhe përfaqësimin shqiptar në arenën ndërkombëtare.