Derbi i Ballkanit, Seria A zbret në Tiranë/ Shqipëri-Serbi me shije italiane në fushë, luajnë 12 futbollistë
Më 7 qershor, “Arena Kombëtare” në Tiranë do të jetë skena e një prej ndeshjeve më të pritura të fazës kualifikuese për Botërorin 2026: Shqipëria, përballë Serbisë. Nuk është një sfidë e zakonshme.
Përtej fushës së lojës, ndeshja mbart ngarkesë historike dhe emocionale, por këtë herë, ajo çfarë e bën edhe më intriguese është fakti se përballen dy skuadra të përbëra nga futbollistë, që luajnë dhe shkëlqejnë në një nga kampionatet më prestigjioze të botës: Seria A.
SHQIPERIA
Shqipëria vjen në këtë sfidë me një brez lojtarësh që po përfaqësojnë denjësisht ngjyrat kuqezi në elitën e futbollit italian. Në krye të tyre qëndron Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Atalantës, që ka qenë një kolonë në mbrojtje për klubin e tij dhe për Kombëtaren. Gjimshiti është lideri që garanton siguri, përvojë dhe qetësi në fazën mbrojtëse.
Po ashtu, në këtë repart nuk mund të lëmë pa përmendur Ardian Ismajlin. Mbrojtësi i qendrës, i cili zhvilloi një sezon shumë të mirë në aspektin individual. Ai ishte lojtari kryesor që mbajti peshën e Empolit në pjesën më të madhe të sezonit, sidomos në ndeshjet kundër të mëdhave. Një dëmtim i papritur e la atë jashtë për më shumë se një muaj.
Empoli humbi terren dhe në fund mori koston e rënies nga kategoria. Pavarësisht ulje-ngritjeve, Hysaj luan prej vitesh në Serinë A dhe në ndeshje të caktuara, mund të jetë një element kyç për skuadrën, duke bërë më së miri detyrat e tij mbrojtëse. Në mesfushë, Shqipëria mbështetet te Kristjan Asllani, mesfushori i Interit, një “regjisor” modern që zotëron teknologjinë e së ardhmes, pasimet vertikale, kontrollin e topit dhe qartësinë taktike.
Ai përfaqëson pikërisht atë që kërkohet nga një skuadër me ambicie: cilësi. Kundër Serbisë duhet të marrë përsipër më shumë. Por, nëse është një mburojë që Kristjani do të ketë në mesfushë, ai quhet Ylber Ramadani. Nuk është sezoni i tij më i mirë, por në fund u tregua vendimtar me Leçen dhe goli i tij rezultoi jetik për qëndrimin mes më të mirave. Një tjetër futbollist i Kombëtares që është pjesë e Serisë A, mbetet i riu i talentuar Medon Berisha. Me shumë potencial, Medoni i Leçes është një alternativë se rioze në mesfushë. Ndërkohë, në ekip, kuqezinjtë kanë edhe portierin e Kaljarit, Alen Sherri.
SERBIA
Në anën tjetër, Serbia është një nga kombëtaret me potencial të madh në rajon, me një listë emrash që tingëllojnë fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Në qendër të mbrojtjes, Strahinja Pavloviç, lojtari i Milanit, i cili me fizikun e tij i jep stabilitet skuadrës.
Në mesfushë, sytë janë te Lazar Samarxhiç, talenti i Atalantës, i cili po përmendet si një nga yjet e së ardhmes. Teknik dhe efikas, mund të jetë çelësi në strategjinë e lojës së Stojkoviçit. Në mesfushë po ashtu është një pikë e fortë si Iliç.
Lojtari i Torinos ka një eksperiencë në Serinë A dhe padyshim që mbetet i fortë në këtë rol. Në sulm, Serbia ka një dyshe që luan në ekipe të mëdha, por larg formës së dikurshme. Luka Joviç i Milanit dhe Dushan Vlahoviç përbëjnë një dyshe të rrezikshme në sulm dhe patjetër që do t’i hapin shumë punë mbrojtjes kuqezi. Panorama Sport/