Ish-asistentja e Diddy-t rrëfen në gjyq: “Jetova 8 vite në frikë dhe abuzim”
Një dëshmi tronditëse ka dalë në dritë në procesin gjyqësor kundër reperit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs. Ish-asistentja e tij personale, e njohur me pseudonimin “Mia”, ka dëshmuar në gjykatën e New York-ut, duke pohuar se ka qenë viktimë e abuzimeve seksuale të vazhdueshme përgjatë një periudhe tetëvjeçare pune pranë artistit.
Mes lotësh dhe në një atmosferë të rënduar emocionale, Mia tregoi se kishte jetuar në frikë të përhershme për shkak të shpërthimeve të dhunshme të Combs, duke shtuar se nuk kishte guxuar të kërkonte ndihmë, pasi besonte se ai ishte i paprekshëm, madje edhe nga autoritetet ligjore.
“Nuk mund t’i thosha jo për asgjë… as për një sanduiç,” rrëfeu ajo, duke përshkruar një ambient pune të mbushur me presion, frikë dhe kontroll total.
Combs, i cili ndodhej i pranishëm në sallë, ndoqi dëshminë pa shfaqur ndonjë reagim të dukshëm. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura, që përfshijnë reket, trafikim njerëzor dhe transport për qëllime prostitucioni.
Dëshmia e “Mia-s” vjen pas akuzave të ngjashme nga ish-partnerja e tij, këngëtarja Cassie Ventura, duke shtuar edhe më shumë trysni mbi artistin, i cili për vite me radhë ka qenë një nga emrat më të pushtetshëm të industrisë së muzikës amerikane.