Jeta si e pastrehë në SHBA, habit Parashqevi Simaku: Të jetosh e tillë është një zgjedhje
Parashqevi Simaku, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, ka dhënë një intervistë të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu, e realizuar në New York, ku ajo ka jetuar vitet e fundit, shpesh në kushte të vështira.
Simaku ka habitur me deklaratën teksa është shprehur se e kishte zgjedhur vetë atë mënyrë jetese teksa u shpreh:
“Pse mos të rrija jashtë? Isha jashtë sepse zgjodha të jem. Në atë kohë, qindra amerikanë ishin jashtë si unë. Kishim vende ku mund të shkonim, por unë zgjodha të isha jashtë. Ishte e imja. E quaj një pjesë të mirë të jetës sime, absolutisht.”
Jetoja në Times Square. Për ushqim kishte shumë organizata që kujdeseshin për ne. Të jetosh si e pastrehë është një zgjedhje. Çdo ditë dhe çdo natë kishte organizata që na jepnin batanije dhe përpiqeshin të na çonin në strehimore, por shumica nuk donin të shkonin. Si shtëpi të përhershme mund të them Starbucks – aty më njihnin të gjithë. Shkoja, flija në mëngjes dhe qëndroja ngrohtë kur ishte ftohtë. Pija nga 3-4 kafe në ditë, të gjitha falas. Atyre iu dukej e çuditshme që unë isha gjithmonë shumë e sjellshme,”
– tregoi me emocione këngëtarja.