Sun, Jun 1, 2025

“Kalova një periudhë komplekse…”, Elia Zaharia flet për divorcin

  • PublishedMay 30, 2025

“Kalova një periudhë komplekse…”, Elia Zaharia flet për divorcin

Pas një ndarjeje që bëri bujë me Princ Lekën, duket se aktorja Elia Zaharia ka gjetur “shërim”. E ftuar në emisionin “Rudina”, ajo tregohet e rezervuar sa i përket ndarjes me ish-bashkëshortin e saj. Megjithatë, lë të kuptohet se për të ka qenë një periudhë komplekse, por pavarësisht çdo gjëje, gjatë kësaj periudhe nxori një mësim shumë të vlefshëm: “Dimensionin e faljes!”

Biseda;

Rudina Magjistari: Çfarë të ka mësuar kjo periudhë në jetën tënde? Jo ty, Elia si mama, si aktore, as si autore, por Elias si individ. Çfarë të ka mësuar kjo periudhë e jetës tënde?

Elia Zaharia: Do e them me një fjalë, Rudina: dimensionin e faljes. Kjo për mua nuk ka të paguar.

Rudina Magjistari: Ka qenë një periudhë e lehtë, e vështirë dhe si je ti tani?

Elia Zaharia: Ka qenë një periudhë komplekse, por unë falënderoj Zotin çdo ditë për atë mbështetje që më ka dhënë familja ime, rrethi im. Unë jam me shumë fat, sepse prindërit e mi, familja ime, nuk janë vetëm familja ime, por janë edhe miqtë e mi më të mirë, me të cilët unë mund të ndaj çdo gjë gjërat e mira, gjërat e gëzuara. Them: “O Zot, duhet që t’i falënderojmë dhe t’i duam prindërit për aq kohë sa janë.”

Rudina Magjistari: Rasti nuk i ngjan rastit, por unë besoj te filozofia që rasti nuk i ngjan rastit dhe ndryshojnë formë. Por në momentin që diçka ka lindur dhe është ndërtuar mes njerëzve, nuk mund të çbëhet dhe asnjëherë nuk çbëhet dot. Thjesht ndryshon formë dhe mënyra. Unë mendoj se është ajo që thua ti: koha do t’i vërë gjërat në vendin e vet. Çdo gjë sistemohet aty ku duhet dhe vendoset atje ku duhet.

Elia Zaharia: Tashmë ajo që ka rëndësi dhe që për mua është prioritet, është mirëqenia e vajzës sime. Unë dua që ajo të ndjehet ngrohtë shpirtërisht dhe të marrë dashuri nga të dyja krahët. Për mua kjo është e vetmja gjë që vlen.

Rudina Magjistari: Dhe është për t’u përgëzuar fakti që ju të dy e jepni këtë. Pavarësisht gjithçkaje, e rëndësishme është që prevalon vëmendja dhe ajo që është më e rëndësishme është vajza juaj.