Nate e madhe, finalja e Champions “pushton” Evropën, PSG-Inter premton spektakël
Një finale Champions League nuk është kurrë një sfidë banale, nuk është kurrë një sfidë e radhës, por është një super sfidë që ndez futbollin evropian. Në Mynih, Inter-PSG premton spektakël, me dy ekipet që synojnë me çdo kusht të bëjnë për vetë kupën me “vesh të mëdhenj”.
Nga Inter tek Inter, Italia kthehen sërish vështrimin nga ekipi zikaltër, shpresojnë që të besuarit e Inzaghi-t të përsërisin historinë ashtu si 15 vite më parë, të rikthejnë në Apenine trofeun e Champions. Ekipi i fundit italian që ka arritur të fitojë këtë trofe është pikërisht Inter, në atë mbrëmje magjike në “Bernabeu” ku triumfuan pastër 2-0 përballë Bayern Munich.
Ky është një sezon i çuditshëm për Inter, e nisin si favorit absolut në Itali, por mbyllën me zero trofe, tani për ta Champions është shansi i fundit për ta mbyllur me sukses këtë sezon, çdo përfundim tjetër do të ishte një dështim. Flirtuan 3 vite më parë teksa shkuan deri në finale, por këtë mbrëmje shpresojnë që përfundimi të jetë ndryshe, por përballë kanë një “kockë” të fortë si PSG.
Inzaghi ka në dispozicion grupin e plotë. Sommer në portë, ndërsa përpara tij rreshtohen Pavard, Bastoni, Acerbi, Dumfries, Dimarco. Dyshja e sulmit, Thuram-Lutaro do të mbështeten nga Calhanoglu-Barella dhe Mkhitaryan.
Të karikuar në maksimum, gati të shkruajnë historinë e klubit, vjen në këtë finale edhe PSG. Pasi fituan gjithçka në Francë, ekipi i Luis Enriques kërkon “qershinë mbi tortë”, trofeun e Champions League. Pa yje si Messi, Neymar, Mbappe etj, por me një super ekip, Enrique synon të arrijë atë që nuk e ka bërë askush më parë.
PSG eliminoi me radhë të gjithë ekipet angleze, Man.City, Liverpool, Aston Villa e Arsenal, ka në dispozicion 3 sulmues si Doue, Barcola e Dembele që vijnë në këtë finale me 33 gola të shënuar së bashku, gjithashtu kanë në dispozicion dhe një super portier si Donnarumma.
Për kompanitë e basteve, PSG shihet favorit në këtë përballje, ku një fitore e tyre vlerësohet me koeficientin 2,15, ndërsa një fitore e Inter vlerësohet me 3,40.
()