10 vite më parë festoi në fushë me të/ Luis Enrique nderoi të bijën e ndjerë pas fitores së Ligës së Kampionëve dhe bota shpërtheu në lot
Herën e fundit që Luis Enrique ishte në një finale të Ligës së Kampioneve, vajza e tij, Xana, ishte ende gjallë. Një fëmijë plot jetë, që mbante një flamur të Barcelonës në fushën e Berlinit pas finales së vitit 2015; një moment që do të ngjizej përgjithmonë në kujtesën e trajnerit spanjoll.
Dhjetë vjet më vonë, historia përsëritet… por me boshllëk. Këtë herë, Xana nuk është më aty për të vrapuar drejt tij, por është në çdo hap, në çdo frymëmarrje, në çdo kujtim që e shtyn përpara.
Në vitin 2019, Xana u diagnostikua me kancer në kocka. Ajo ishte vetëm nëntë vjeç. Brenda pesë muajve fatkeqësisht ndërroi jetë. Luis Enrique hoqi dorë nga posti i trajnerit të Spanjës, pa bujë, pa deklarata. U zhduk nga dritat e kamerave për të qenë pranë saj. Dhe kur ajo u largua, bota e tij nuk ishte më ajo që ishte. Por Enrique vendosi që nuk do të qëndronte në errësirë. Ai do ta kthente dhimbjen në një dritë që udhëzon të tjerët.
Së bashku me familjen, krijuan Fondacionin “Xana”, që ofron mbështetje për familjet me fëmijë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Ishte një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin e saj, për ta shndërruar tragjedinë në diçka të dobishme, në një kauzë që nuk vdes.
Dhe tani, në vitin 2025, Luis Enrique shkruan përsëri historinë. Ai i prin Paris Saint-Germain drejt një fitoreje historike në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Inter Milan, me rezultatin spektakolar 5–0. Është hera e parë që PSG fiton këtë trofe dhe është më shumë se një triumf sportiv: është një histori shprese, dhimbjeje dhe dashurie që nuk shuhet.
Pas ndeshjes, gjatë festimeve në stadium, Enrique shihej me një bluzë ku ishte ilustrimi i tij me Xana-n. Një homazh i heshtur, por rrënjësisht i fuqishëm. Kujtimi i finales së Berlinit ishte ende gjallë, por këtë herë, flamuri nuk u mboll fizikisht në fushë. Ai u mboll në zemrën e një babai që nuk harroi kurrë.
“Nuk është më fizikisht me ne,” ka thënë Luis Enrique më parë, “por e kujtojmë çdo ditë.”
Fitorja e PSG-së nuk është thjesht një trofe në vitrinën e klubit, por një nderim për një vajzë që u bë simbol i forcës së heshtur dhe dashurisë që mbijeton gjithçka. Pa Mbappé, pa yje të mëdhenj në skuadër, vetëm një ekip i bashkuar, i udhëhequr nga një njeri që e di çfarë do të thotë të luftosh deri në fund.
Kjo është historia e një babai që e çoi vajzën e tij në një tjetër finale, këtë herë jo për dore, por në zemër.
Dhe aty, në zemër, Xana do të jetë gjithmonë.
/iconstyle.al