Juve me drejtor të ri, “Zonja e Vjetër” bën “prapa kthehu” me Tudor?
Tani është zyrtare: Damien Comolli është drejtor i ri i përgjithshëm i Juventusit. Ai do të fillojë të ushtrojë detyrën nga 4 qershori. Comolli ka një përvojë ndërkombëtare mbi 30 vjet në futboll, duke punuar në klube si Arsenal, Tottenham, Liverpool, Fenerbahçe dhe Toluzë. Ai do të ketë përgjegjësi për fushën sportive dhe drejtimet e marketingut dhe tregtisë. Pjesë e stafit të tij do të jetë edh eish qendërmbrojtësi i “Zonjës së Vjetër” Giorgio Chiellini, i cili do të jetë Drejtor i Strategjisë. Me këto prurje të reja në organigramë, Juventus forcon strukturën e tij për të përballuar sfidat e reja me ambicie të reja.
Pas ardhjes së Damien Comolli në klub zyrtarizimit të rolit të ri të Giorgio Chiellinit dhe pak ditë para fillimit të Kupës së Botës për Klube, John Elkann është përfshirë personalisht për të zgjidhur çështjen e trajnerit te Juventusi. Sipas Corriere della Sera, drejtori ekzekutiv i Exor ka telefonuar vetë Igor Tudorin, duke e vlerësuar për punën e bërë në një moment të vështirë dhe duke i shprehur besim të plotë. Ai e ka inkurajuar të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, duke i garantuar se thashethemet për kontakte me trajnerë të tjerë nuk janë të vërteta.

Tani që skuadra është kthyer në stërvitje për të përgatitur Kupën e Botës për Klube, Tudor ka shanse reale të qëndrojë si trajner i Juventusit, duke qenë në avantazh ndaj kandidatëve të tjerë si Pioli, Mancini dhe Marco Silva. Comolli do të takohet me të të mërkurën – ata njihen mirë që nga koha te Marseille – dhe nuk përjashtohet mundësia që Tudor të mbetet trajner edhe pas turneut.
Me kontratën që e lidh me klubin deri më 30 qershor 2026, falë aktivizimit të opsionit pas kualifikimit në Champions, Igor Tudor mund të bëhet pika e qëndrueshme në mes të revolucionit të ri te Juventusi.