Kërcënoi vajzën e kryeministres Giorgia Meloni, profesori italian tenton të v*tëvritet
Profesori italian, Stefano Andeo, i cili ditët e fundit kishte shkaktuar reagime të forta pas publikimit të një mesazhi ekstrem në internet kundër vajzës së kryeministres Giorgia Meloni, u përpoq të vetëvritej.
Sipas burimeve zyrtare, ai piu një sasi të madhe alkooli së bashku me medikamente, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
ANSA raporton se përpara se të ndërmerrte aktin, ai paralajmëroi drejtoreshën e institutit ku jep mësim, e cila menjëherë njoftoi karabinierët që nxituan drejt shtëpisë së profesorit.
Në postimin e tij të shumëpërfolur, Andeo kishte shkruar se “i uroj vajzës së Melonit të njëjtin fund si Martina Carbonaro”, një vajzë 14-vjeçare që u vra brutalisht javën e kaluar nga ish-i dashuri i saj, duke tronditur opinionin publik në Itali.
Deklarata e profesorit u dënua në mënyrë unanime nga të gjitha forcat politike italiane, ndërsa Ministria e Arsimit nisi menjëherë procedurat për një hetim disiplinor të thelluar ndaj tij.
Ditën e djeshme, Andeo, 65 vjeç, profesor i gjuhës gjermane, kishte shprehur publikisht dëshirën për t’u takuar me Giorgia Melonin, “për ta përqafuar dhe për t’i kërkuar ndjesë” për atë që kishte shkruar.
Ngjarja ka shkaktuar debat të gjerë në Itali mbi kufijtë e lirisë së shprehjes, gjuhën e urrejtjes dhe përgjegjësinë publike që mbart figura si mësuesit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxitje të dhunës ndaj fëmijëve të personaliteteve politike.