Thu, Jun 5, 2025

Falsifikonte veshje firmato, në pranga ish-kandidati i PD së Bashës për deputet dhe kryetar bashkie, Luan Haka! Shpallet në kërkim i biri

  • PublishedJune 3, 2025

Falsifikonte veshje firmato, në pranga ish-kandidati i PD së Bashës për deputet dhe kryetar bashkie, Luan Haka! Shpallet në kërkim i biri

Në kuadër të operacionit “Fake Star 5” u zbuluan dy fabrika të mëdha ku falsifikoheshin veshje të kontrabanduara me marka të njohura ndërkombëtare. Në këto fabrika bëhej stampimi dhe printimi i logo-ve false të markave luksoze, që më pas shiteshin në tregun e zi.

Mes të arrestuarve është edhe Luan Haka, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike në vitin 2021 dhe kandidatë për kryetar bashkie në Dibër në zgjedhjet lokale të vitit 2022. Ai ishte bashkadministrator i njërës prej magazinave të përfshira në këtë skemë.

Në kërkim është shpallur djali i tij, Lindion Haka, i cili gjithashtu ishte bashkadministrator në të njëjtën magazinë. Po ashtu, në pranga kanë rënë edhe Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkadministratorë të magazinës së dytë.

Gjatë operacionit u arrestua edhe Arjan Hida, qiradhënësi i pronave ku funksiononin fabrikat, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili dyshohet se koordinonte aktivitetin kriminal.

Uniformat blu kanë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh të falsifikuara, dhjetëra makina për qepje, printim dhe stampim, si dhe dokumente dhe mjete të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale. Hetimet vazhdojnë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

OPERACIONI

Policia e Shtetit finalizoi operacionin kundër kontrabandës dhe falsifikimit të produkteve të markave të njohura ndërkombëtare. Operacioni, i koduar “Fake Star 5”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh.

Gjatë këtij operacioni, në zonën e Rrugës së Arbërit, konkretisht në fshatin Brrar, u zbuluan dy magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo të falsifikuara të markave të njohura. Policia arrestoi 4 shtetas, shpalli në kërkim 2 të tjerë – njëri prej të cilëve shtetas turk – dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë 4 punonjës.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.

Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale.

Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk.

Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit:

-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;

-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;

-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;

-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.