Thu, Jun 5, 2025

Jep dorëheqjen Komandanti i Gardës së Republikës, Ermal Onuzi

  • PublishedJune 3, 2025

Jep dorëheqjen Komandanti i Gardës së Republikës, Ermal Onuzi

Komandanti i Gardës së Republikës, Ermal Onuzi, ka dorëzuar dorëheqjen nga posti i tij.

Onuzi u emërua në krye të Gardës më 10 shtator 2024 nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, pas dorëheqjes së Gramoz Sakos, i cili kishte udhëhequr institucionin për mbi 10 vjet.

Arsyet e dorëheqjes së Onuzit ende nuk janë bërë publike.

Kush është Ermal Onuzi?

Onuzi ka kryer studimet e larta ushtarake në Itali, në “Akademinë Ushtarake, Modena” dhe në “Shkollën e Specializimit të Oficerëve, Torino” si dhe është diplomuar në Universitetin e Torinos për “Shkenca Strategjike”, Master Shkencor.

Pas përfundimit të studimeve, nga viti 2003 deri në vitin 2005 ai ka qenë pjesë e Batalionit të dytë të këmbësorisë, Brigada e Reagimit të Shpejtë, me detyrën e Komandantit të Togës.

Në vitin 2005, është emëruar në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas, në vitin 2009, është transferuar në Shërbimin Informativ të Shtetit, ku ka shërbyer në detyra të ndryshme.

Në vitin 2022, është emëruar Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Më pas, për rreth një vit ka punuar në sektorin privat duke mbajtur funksionin e Drejtorit Operacional të Kompanisë S2 Secure Albania, me fushë përgjegjësie përgatitjen e politikave të sigurisë, protokolleve dhe procedurave që lidhen me sigurinë aeroportuale.

Gjatë karrierës, ai ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh në fushën e sigurisë, të kryera në institucione prestigjoze ndërkombëtare, si; Programi mbi terrorizmin dhe studimet e sigurisë, të zhvilluar në Qendrën Europiane të Studimeve për Sigurinë “Geroge Marshall” në Gjermani; Trajnimi për pjesën strategjike dhe operacionale për armët e shkatërrimint në masë në operacionet detare, e organizuar nga Qendra e Trajnimit të NATO-s në Kretë, Greqi; Programi për përgjigjen gjithpërfshirëse të sigurisë ndaj terrorizmit, i organizuar nga Qendra për Studimet e Sigurisë për Azinë dhe Paqësorin në Hawai, SHBA; Trajnimi për menaxhimin e mbrojtjes në kontekstin e gjerë të sigurisë, i organizuar nga Akademia e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, etj. Zotëron shumë mirë gjuhët e huaja anglisht dhe italisht.