Saga 30-vjeçare e hasmërisë mes fiseve Kaza e Gjini në Lezhë, si nisi gjakmarrja dhe pse u vra shefi i krimeve Ndue Kaza në 1994?
Në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala, dëshmitë e zbardhura nga dosja hetimore mbi vrasjet mes fiseve Gjini e Kaza, tregojnë qartë zanafillën e zinxhirit të vrasjeve që daton në 1994, me ekzekutimin e shefit të krimeve në Lezhë, Ndue Kaza dhe që vijoi me atentatin e 1 qershorit 2025 ku mbeti i vdekur vëllai i tij, Pjetër Kaza.
“Nga hetimet rezulton se Pjetër Kaza, dyshohet se është vrarë për motive gjakmarrje. Fisi Kaza dhe Gjini janë në hasmëri që prej vitit të largët 1994.
Gjatë deklarimit në polici, bashkëshortja e viktimës tha se ai nuk ruhej, pavarësisht problemeve të hasmërisë që kishin si familje”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni “Në Shënjestër” gjithçka duket se fillon me ekzekuimin në qendër të Mirditës më 7 Janar të vitit 1994, të shefit të krimeve në Lezhë, Ndue Kaza, një vrasje e cila tronditi jo vetëm uniformën e policisë, por edhe vetë familjen Kaza që nuk e fali kurrë gjakun e të afërmit të tyre.
Referuar dokumentimeve të kohës, Ndue Kaza ndodhej në Rrëshen ditën e vrasjes së tij.
Thuhet se ekzekutimi i Ndue Kazës, erdhi pasi ai kishte ndërhyrë për të shmangur një konfikt midis dy grupeve rivale.
Do ishte pikërisht kjo vrasje që do të shërbente edhe si një prelud për të hapur një plagë që nuk do të mbyllej kurrë midis dy familjeve.
Hakmarrja që dhe pse u duk sikur u shty në kohë nuk mungoi. Por ajo erdhi edhe më e përgjakshme, vetëm 3 vite më pas, më 3 Korrik 1997.
Ai që do të merrte hak në emër të familjes Kaza për humbjen e të afërmit të tyre, komisarit të policisë, Ndue Kaza, do të ishte Martin Kaza, një nga vëllezërit e oficerit tashmë të ndjerë i cili qëlloi mbi dy vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini, në qendër të Laçit, duke i lënë të vrarë.
Dod Gjini ishte edhe ekzekutori direkt i shefit të krimeve të Lezhës, Ndue Kaza.
Menjëherë pasi kreu krimin, Martin Kaza vendosi të largohej nga Shqipëria dhe të mos i dorëzohej drejtësisë.
Por ndërsa u largua nga Shqipëria, drejtësia dha për të fillimisht një dënim në mungesë, për vrasjen e dy vëllezërve Gjini.
Në vitin 2001, katër vite pas krimit të dyfishtë që kreu, Gjykata e Kurbinit e shpalli atë fajtor, duke e dënuar me 22 vite të gjata burgim në mungesë.
Pas vrasjes Martin Kaza u largua nga Shqipëria dhe u strehua në Britaninë e Madhe ku qëndroi aty i fshehur për gati 20 vite deri në vitin 2017 kur u zbulua në një lagje të Londrës.
Kaza u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin për vrasjen e vëllezërve Gjini në vitin vitin e mbrapshtë 1997. Martin Kaza që bëri çmos të mos ekstradohej nga Britania e Madhe.
Ndërsa autoritetet shqiptare kishin dërguar te homologët e tyre britanikë edhe mostra të ADN-së të nënës së tij.
Por ndërkohë që u ekstradua në Shqipëri, ai filloi një betejë ligjore në Gjykatën e Apelit, për t’i shpëtuar dënimit, duke qenë se ishte dënuar në mungesë.
“Martin Kaza u arrestua në vitin 2017 në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, teksa fshihej aty. Pasi u ekstradua në Shqipëri në vitin 2018 ai e çoi çështjen e tij në Gjykatën e Apelit, e cila prishi vendimin e parë dhe e dërgoi çështjen edhe njëherë për rigjykim në Gjykatën e Kurbinit”, thuhet në dosjen hetimore.
Gjykata e Apelit arsyetoi se i pandehuri Martin Kaza, që ishte gjykuar në mungesë dhe dënuar me 22 vite burgim për vrasje me paramendim, i ishte cënuar e drejta për një proces të rregull ligjor.
Por avokati i tij, pretendoi se gjykata e rrethit gjyqësor Kurbin nuk i ka garantuar asnjë të drejtë të pandehurit.
“Martin Kaza, në gjykimin e zhvilluar kundër tij. Nga provat e administruara në gjykim nuk ka asnjë akt që të provojë që të jetë njoftuar i pandehuri ose ndonjëri prej familjarëve të tij, në një kohë që i pandehuri dhe familja e tij ka patur një adresë të përcaktuar dhe njoftimi i tij ka qenë lehtësisht i mundshëm”, thuhet në pretendimin e avokatit të Martin Kazës.
Avokati pretendonte se Kazës nuk i ishte garantuar e drejta e mbrojtjes dhe shkak për këtë ishte mënyra e pyetjes së të plagosurit Besnik Legisi në ambjentet e IEVP-së Burrel.