Shëndetësia në dy pamje: Pacientët e qarkut Kukës gjejnë shpëtim në spitalet e Kosovës

Kur u përball me probleme kardiovaskulare këtë pranverë, Hasan Çaushit nga fshati Nikoliq i Hasit i shkoi ndërmend që të zgjidhte vdekjen përballë shtrimit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza në Tiranë. Por burri 75-vjeçar e gjeti një rrugëdalje në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovën fqinje, ku BIRN e takoi ndërsa po kurohej në fillim të majit.
“Doktori këtu në Gjakovë më tha me shkue në Tiranë, e i thashë: nëse më merr në dorë mirë, që jo, po shkoj në shtëpi e vdes,” tha Çaushi për BIRN nga pavioni i kardiologjisë në spitalin e Gjakovës. “Nuk po merremi vesh shumë atje [Tiranë], ka popullsi të madhe atje, e nuk po merremi vesh,” shtoi ai.
Çaushi nuk është i vetmi pacient nga qarku i Kukësit që po kërkon shpëtim në spitalin publik të Gjakovës në Kosovë. Të mbetur pa shërbim shëndetësor eficent, 171 banorë nga Hasi dhe Tropoja i gjetën dyert e hapura në spitalin e Gjakovës për probleme shëndetësore nga më të ndryshmet gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2025.
Sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, këta pacientë duhet të trajtohen në spitalin rajonal të Kukësit, por ky i fundit vuan nga mungesa e kushteve dhe e mjekëve specialistë, aq sa po i detyron pacientët e vet që të udhëtojnë drejt Prizrenit për t’u kuruar.
Qyteti i Gjakovës në Kosovë gjendet vetëm 29 kilometra larg Krumës në bashkinë e Hasit dhe njerëzit në të dy anët e kufirit ndajnë mes tyre një histori të gjatë marrëdhëniesh sociale dhe ekonomike. Për pacientë si Çaushi, sistemi shëndetësor dallon si nata me ditën.
Ai tha BIRN se në spitalin e Gjakovës e pritën si vëlla dhe e trajtuan me vizita dhe medikamente brenda një kohe të shkurtër.
“Këto shërbime në Krumë dhe Kukës janë me fukarallëk, se në Krumë nuk kemi dhomë të hyjmë, duhet të presim 3 orë për të marrë një serum,” tha ai.
Në vitin 2022, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin për shërbimin spitalor dhe spitali i vogël i Krumës u kthye në ditor. Drejtori i këtij spitali, Shaban Peka, i pranon mangësitë e shumta ndërsa pohon se banorët e zonës i drejtohen Gjakovës si raste urgjente dhe pranohen atje, pavarësisht kostove të trajtimit.
“Shëndetësia ka një kosto të lartë, por në Gjakovë e kanë lëshuar dorën për shkaqe që dihen,” tha ai duke nënkuptuar patriotizmin.
‘Spitalet te ne nuk janë si këtu’

Sistemi shëndetësor në Shqipëri gjendet prej vitesh në lëngatë për shkak të korrupsionit, mungesës së pajisjeve dhe numri i ulët i mjekëve specialistë. Në zona të varfra si Kukësi, Hasi dhe Tropoja, këto probleme shumëfishohen.
Numri i pacientëve nga Shqipëria në spitalin e Gjakovës në Kosovë zë 3.72% të numrit të përgjithshëm të pacientëve për tremujorin e parë të vitit 2025. Megjithatë, në shifra nominale ata e kalojnë shifrën 1 mijë.
Arbër Pozhegu, drejtor i Infermierisë në spitalin e Gjakovës i tha BIRN se gjatë kësaj periudhe kanë marrë shërbime ambulatore 1277 pacientë, janë hospitalizuar 171 si dhe janë kryer 12 lindje të grave nga Hasi dhe Tropoja.
Gjithashtu, spitali ka kryer 31 operacione të përgjithshme, katër ndërhyrje në katarakte dhe 6 në avistina si dhe janë asistuar me hemodializë 228 pacientë nga Shqipëria.
Për shtrimin në spital, pacientët nga Shqipëria paguajnë një kosto minimale prej 30 eurosh, pavarësisht kohës së qëndrimit.
Drejtori i spitalit “Isa Grezda” të Gjakovës, Hilmi Shala i tha BIRN se pacientët nga Hasi dhe Tropoja janë të pranishëm çdo ditë në spitalin e tij – një histori kjo që vazhdon që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe që u shumëfishua gjatë krizës pandemike të COVID-19.
“Është afërsia gjeografike, pastaj zona e Krumës dhe Bajram Currit nuk kanë personel mjekësor të mjaftueshëm atje dhe ne në këto momente qëndrojmë mirë me resurse humane,” tha Shala.
“Për neve është fluks normal…Kemi staf të mjaftueshëm, numri i shtretërve është i madh. Besoj që ata kanë besim te mjekët tanë përderisa vijnë këtu,” shtoi Shala, duke theksuar se në spitalin e Gjakovës të gjithë pacientët trajtohen njëlloj.
Ky migrim pacientësh lehtësohet edhe nga një marrëveshje e vitit 2023 mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila parashikon që shërbimet që nuk kryhen në spitalin rajonal të Kukësit të ofrohen në Gjakovë dhe Prizren. Por në realitet, pranimet në spitalet e Kosovës motivohen më shumë nga humanizmi se sa nga marrëveshja.
Kurt Mazreku, pensionist nga Vranishti i Hasit mbërriti në spitalin e Gjakovës në gjendje shumë të rëndë, por tashmë thotë se ka besim “te Zoti dhe doktori se do t’ia dalë”.
“Arsyeja e ardhjes këtu është se ne e kemi më afër. Spitali është i pajisur me pajiset e duhura të sëmundjes, të cilat ne atje nuk i kemi dhe vijmë në Gjakovë,” tha Mazreku.
Edhe Zyra Nabolli nga fshati Kosturr i Hasit thotë se aksesi në spitalin e Gjakovës është i thjeshtë edhe për shkak të afërsisë. Gruaja e shtruar në pavionin e ortopodisë përmes edhe arsye të tjera.
“Spitalet te ne nuk janë si këtu, këtu janë shërbimet më të mira. Janë më specialista se andej dhe komunikimi është i mirë, gjithçka është mrekulli,” tha ajo e kënaqur.
Në Kukës mungojnë mjekët

Qarku i Kukësit numëron 62 mijë banorë, duke shënuar një rënie drastike me pothuajse përgjysmin që nga viti 2001. Në vitin 2023, afro 40% e popullsisë së qarkut jetonte në tre qytetet, Kukës, Krumë dhe Bajram Curri, ndërsa 60% jetonte në zonat rurale.
Popullsia e mbetur e qarkut do duhej të trajtohej fillimisht në spitalin rajonal të Kukësit, por ky institucion gjendet prej vitesh në hall. Spitali vuan nga mungesa e mjekëve specialistë, ndërkohë që prej 3 vitesh nuk ka kirurg dhe i përcjell urgjencat drejt spitalit të Prizrenit.
Drejtori i spitalit të Kukësit, Saimir Shehu e lidh migrimin e pacientëve drejt Kosovës me mungesën e mjekëve specialistë në spitalin e tij.
“Kukësi ka vetëm dy mjekë kardiologë, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë numrin e vizitave. Nevojat e spitalit të Kukësit janë për rreth shtatë kardiologë,” tha Shehu për BIRN.
Në Kukës mungon gjithashtu prej tre vitesh kirurgu dhe të gjitha urgjencat dërgohen në Prizren.
“Nuk kemi mjek kirurg. Urgjencat i dërgojmë në Prizren, ndërsa operacionet e planifikuara kryhen të premten, të shtunën dhe të dielën ku vjen një kirurg nga Prizreni që ka kontratë me Ministrinë e Shendetësisë,” theksoi Shehu.
Cilësia e mirë e shërbimit në spitalin e Prizrenit i shtyn shumë pacientë të Kukësit që të kurohen atje, pavarësisht se marrëveshja mes dy qeverive nuk e parashikon këtë.
“Kur pacienti vjen në spital, ne nuk e kthejmë mbrapsh, pasi kemi pacientë që vijnë nga zona e Gorës së Kukësit, që e kanë më larg Kukësin se Prizrenin,” thotë për BIRN drejtoresha e spitalit “Prim. Dr. Daut Mustafa” të Prizrenit, Narqize Arënliu (Hoxha).
Drejtoresha Arënliu (Hoxha) flet për një diskriminim pozitiv të pacientëve nga Kukësi, për të cilët thotë se trajtohen njësoj si qytetarët e Kosovës, madje edhe pa listë pritjeje. Ajo theksoi gjithashtu se këta pacientë përfitojnë shumë shërbime diagnostikuese si rezonanca manjetike, rentgeni dhe gjithë shërbimet e tjera të imazherisë, por edhe urgjencat kirurgjikale, gjinekologjike apo urgjenca të tjera shëndetësore.
Edhe në Prizren, sipas drejtoreshës Arënliu (Hoxha), pacientët shqiptarë paguajnë 30 euro për hospitalizimin dhe deri maksimumi në 200 euro për procedura të komplikuara të koronografisë invazive.
Ndryshe nga spitali i Gjakovës, në atë të Prizrenit numri i pacientëve nga Shqipëria është disi më i ulët. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në këtë spital u shtruan 98 persona, përfituan shërbime ambulatore dhe diagnostikuese 491 si dhe shërbime të dializës 614 persona.
Përveç shërbimeve mjekësore për pacientët nga Shqipëria, Kosova po e ndihmon krizën e shëndetësisë shqiptare edhe me mjekë të saj.
Mjeku obstetër gjinekolog, Ibish Abdyli është njëri prej tyre, i cili po shërben prej 7 vitesh në Krumë, pas shërbimeve të mëparshme në Kukës dhe Tropojë. Abdyli thotë se në Krumë ndryshojnë shumë kushtet në krahasim me Gjakovën.
“Spitali i Gjakovës ka 22 mjekë obsetër-gjinokologë. Një obsetër që jam unë këtu, nuk e përballoj dot. Nuk ka as mjete,’ tha ai për BIRN.
Edhe Xhevat Musa nga Gjakova, i specializuar për sëmundjet profesionale, ka lidhur një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe punon si mjek urgjence në spitalin e Krumës. Ai thotë se ndjehet mirë në Krumë, vetëm 20 kilometër larg shtëpisë së tij në Gjakovë ku pi edhe kafenë e mëngjesit.
“Arsyeja që pacientët shkojnë në Gjakovë është se atje ka shumë mjekë specialistë, laboratorë e paisje të imazherisë bashkëkohore,” thotë ai.
Hap vëllazëror vetëm në një drejtim

Që prej viteve 2000, tridhjetë e tre pacientë nga qarku i Kukësit e marrin shërbimin e hemodializës në Gjakovë ose Prizen falë një marrëveshjeje mes dy ministrive, që i kushton qeverisë së Kosovës rreth 500 mijë euro në vit. Por pacientët nga Kosova nuk marrin të njëjtin trajtim kur ndodhen në Shqipëri.
Në repartin e hemodializës në Prizren trajtohen 16 pacientë nga Kukësi, të cilët përgjatë një muaji mund të marrin minimalisht 13 seanca sipas protokollit mjekësor.
“Kostoja e një seance është 120 euro, por pacientët nga Kukësi nuk paguajnë pasi kemi marëveshje me Shqipërinë,” thotë shefi i hemodializës në Prizren, Rexhep Hapçiu.
Shpenzimet për hemodializën janë një barrë financiare për spitalin e Prizrenit dhe drejtoresha e tij, Narqize Arënliu(Hoxha) i tha BIRN se i ishte ankuar kryeministrit Albin Kurti. Sipas saj, Kurti ia kishte prerë shkurt: “Bravo e madhe nëse u shërbeni kuksianëve, ashtu vazhdoni”.
Ndryshe ndodh me shtetasit nga Kosova kur ndodhen në Shqipëri, të cilëve në rastin më të mirë u duhet të paguajnë 120 Euro për seancë dhe në rastin më të keq nuk u ofrohet shërbim farë. Në Shqipëri, shërbimi i hemodializës është pothuajse i privatizuar përmes një koncesioni 10 vjeçar të dhënë nga qeveria “Rama”.
Nefrologia Miloreta Tolaj, mjeke në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë thotë se pacientët e saj e ndjejnë këtë problem kur përgatiten të nisen me pushime në Shqipëri.
“Gjatë kohës kur kanë pushime, obligohen të shkojnë ose edhe t’i shkurtojnë pushimet e tyre për shkak të çmimit që duhet të paguajnë për seancën e dializës në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht se kanë pasur edhe më herët ankesa, kanë pritë se mos ka ndonjë marrëveshje mes dy vendeve,” tha Tolaj.
Gazetari veteran nga Kosova, Nehat Islami, u ka dërguar letër autoriteteve në Shqipëri në emër të këtyre pacientëve, duke kërkuar heqjen e kostove, njëlloj siç veprohet me shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë.
“Edhe ne kemi nevojë t’i kalojmë disa ditë pushimi në bregdetin e bukur shqiptar, por për shkak të çmimit të lartë që duhet ta paguajmë për një hemodializë, që shkon gjerë 120 Euro vetëm për një seancë, detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi dhe të ndahemi nga anëtarët e tjerë të familjes që të shkojnë pa brenga në pushime,” thuhet në letrën e Islamit në vitin 2022, duke e konsideruar marrëveshjen “një hap vëllazëror vetëm në një drejtim”. Si përgjigje, Islami mori vetëm disa fjalë të vagullta të ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe asnjë zgjidhje.
Sistemi shëndetësor shqiptar diskriminon pa dallim shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kur vjen puna për hemodializën.
“Isha me pushime në Lezhë dhe kam paguar për dy seanca dializë 240 euro,” thotë Bujar Shehu nga Kukësi, i cili e kryen prej 14 vitesh falas hemodializën në Prizren.
Punonjësit shendetësorë të Prizrenit bëjnë përgjegjës hartuesit e marrëveshjes dy palëshe.
“Problemin e dializës së kosovarëve në Shqipëri e kemi adresuar dhe vazhdojmë t’a adresojmë. Jemi në pritje të marrjes së një pergjigje,” thotë Valmir Avdaj, administrator i repartit të hemodializës në Prizren. “Një marrëveshje që nuk plotëson interesat e dy palëve, nuk quhet marrëveshje pasi palët nuk respektohen,” përfundoi ai.