Sot provimi i parë i maturës, ja çfarë i skualifikon nxënësit nga konkurrimi
Në nisje të sezonit të provimeve për Maturën Shtetërore 2025, Ministria e Arsimit siguron maturantët për mbarëvajtjen e tij, ndërkohë që iu sjell në kujtesë rregullat që duhet të respektojnë para dhe gjatë provimit.
Sipas këtij dikasteri, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe në përputhje me standardet më të larta të administrimit, siç parashikohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore. Drejtoresha e përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, bëri me dije se mbi 27 mijë maturantë do t’u nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës Shtetërore. Gjini tha se MAS ka kryer trajnimin paraprak të të gjithë administratorëve dhe stafit mbështetës për njohjen e detajuar të rregullave të administrimit, informimin e maturantëve dhe të prindërve të tyre mbi rregullat që duhet të zbatohen gjatë zhvillimit të provimeve si dhe zbatimin e protokolleve të qarta për shpërndarjen, ruajtjen dhe mbikëqyrjen e testeve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Postën Shqiptare. “Këtë vit janë ngritur gjithsej 145 qendra provimi në të gjithë vendin. Çdo qendër administrohet nga një përgjegjës administrimi dhe nga administratorë të caktuar për çdo mjedis ku zhvillohet provimi. Për çdo 15–20 maturantë caktohet një administrator provimi”, – theksoi Gjini duke shtuar se administratorët janë trajnuar për të mbikëqyrur zbatimin korrekt të rregullave gjatë gjithë procesit të administrimit.
RREGULLAT
Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore. “Në këto ambiente garantohet siguria dhe monitorimi në përputhje me standardet dhe rregullat në fuqi. Provimet e Maturës zhvillohen me shkrim. Ato nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Maturantët duhet të paraqiten dy orë para fillimit të provimit, të pajisur me dokument identifikimi dhe duke ndjekur udhëzimet e dhëna nga shkolla. Marrja me vete e telefonave celularë apo pajisjeve të tjera teknologjike (si ora “smart”) në ambientin e provimit është rreptësisht e ndaluar”, – sqaroi Gjini. Sa i përket hartimit të testeve, Gjini tha se testet janë hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), në përputhje me programet orientuese të publikuara në faqet zyrtare të MAS dhe QSHA. Ato janë përgatitur nga hartues të certifikuar dhe synojnë të matin njohuritë, aftësitë analitike dhe kompetencat e nxënësve.
Testet përfshijnë pyetje në tre nivele të arritjes dhe vlerësohen me një maksimum prej 60 pikësh. Në dispozicion të nxënësve janë publikuar modele testesh në faqen zyrtare të QSHA-së. Risi këtë vit, risi është që maturantët që janë me aftësi speciale do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore. “Për nxënësit me aftësi të kufizuara ofrohen teste të përshtatura, sipas parashikimeve të Rregullores së Maturës Shtetërore”, – tha Gjini. Sa i përket vlerësimit të testeve, Gjini bëri të ditur se janë angazhuar mësues të trajnuar dhe të certifikuar posaçërisht për këtë proces.
APELI
Gjini u bën apel prindërve dhe maturantëve të bëjnë kujdes që të zbatojnë të gjitha rregullat e Maturës Shtetërore. “Apeli për nxënësit është i qartë: besoni vetes dhe dijes tuaj! Keni punuar me përkushtim gjatë gjithë viteve të gjimnazit dhe këto provime janë një mundësi për të treguar përgatitjen dhe përkushtimin tuaj. Përqendrohuni te detyra dhe respektoni rregullat”, – tha Gjini. “Ndërsa për prindërit – theksoi Gjini – apeli ynë është të ofrojnë mbështetje emocionale dhe të ruajnë qetësinë, duke forcuar besimin e fëmijëve të tyre”. “Të gjithë, mësues, drejtues shkollash dhe institucionet arsimore jemi të angazhuar për të garantuar që çdo nxënës të ketë mundësinë të japë maksimumin në kushte të barabarta dhe të sigurta”, – tha Gjini.
Maturantët në të gjithë vendin i nënshtrohen sot provimit të parë, atij të Gjuhës së Huaj, ndërsa provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të jetë më 10 qershor, Matematika më 17 qershor dhe provimi me zgjedhje më 24 qershor./Gazeta Panorama