SPAK godet grupin e trafikut të drogës në Finlandë, prokurori Shehu: Janë lëshuar 11 urdhër-arreste, ekzekutuar 9-të
Prokurori i Posaçëm, Alfred Shehu, ka dhënë detaje mbi operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, për goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe që drejtohej nga shtetas shqiptarë.
Sipas Prokurorit të SPAK, në kuadër të këtij hetimi janë lëshuar 11 urdhër-arreste, nga të cilat 9 janë ekzekutuar gjatë aksionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 8 automjete, celularë si dhe dokumente në gjuhën finlandeze, që lidhen me aktivitetin kriminal të personave të ndaluar.
Prokurori i SPAK: Janë zbuluar dhe kapur sasi lënde narkotike edhe gjatë vitit 2024. Nga ana e SPAK është dërguar në maj kërkesa për caktimin e masës së sigurimit për 11 persona dhe nga GJKKO është pranuar kërkesa e SPAK duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 11 persona. U caktua që operacioni të kryhej në orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat u ndaluan 9 persona dhe vazhdon puna për të bërë të mundur arrestimin e dy personave të tjerë.
Gjatë zbatimit të masave të sigurimit u sekuestruan 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me vlerë për hetimin sepse ka të dhëna në gjuhën finlandeze në lidhje me aktivitetin kriminal të personave.