Thu, Jun 5, 2025

Zgjedhjet politike 2025 dhe profili i tyre social

  • PublishedJune 3, 2025

Zgjedhjet politike 2025 dhe profili i tyre social

PËLLUMB NAKO

Pavarësisht se kush i fitoi zgjedhjet e fundit politike në Shqipëri dhe sa thellë i fitoi ato, thelbi i cili ka të bëjë me aspekte të funksionimi të shoqërisë shqiptare mbetet i njëjtë dhe i dominuar nga trashëgimia e largët tradicionale dhe ajo më e afërt moniste. Ende nuk duken të plota shenjat e një shoqërie, e cila operon mbi themelet e lirisë së fjalës në të gjitha dimensionet e saj.

Me fjalë të tjera, Shoqëria shqiptare është ende mjaft larg standardeve karakteristike të një shoqërie moderne të karakterizuar nga përgjegjshmëri e lartë sociale, në kushtet e një sistemi politik të bazuar në lirinë e përgjithshme. Këtu nuk bëhet fjalë për të analizuar taktikat apo mënyrat e veprimit të forcave politike gjatë këtyre zgjedhjeve, por më shumë për ta parë klasën politike shqiptare në raport me nivelin ku ndodhet shoqëria jonë në përqafimin e normave të një demokracie moderne. Kjo, sepse pavarësisht mbështetjes në masën publike, klasa politike në përgjithësi dhe dy polet e saj më të rëndësishme në veçanti kanë mjaft tipare të njëjta. Pra, pavarësisht kush fiton, demokracia ka të njëjtat defekte, ajo nuk ecën para me hapa më të shpejta. Gjë kjo fatkeqësisht e natyrshme, pasi i tillë është profili social i tanishëm i shoqërisë shqiptare e po ashtu prodhimi i politikës prej saj.

Mentaliteti klanor, klientelist që manifestohet në përgjithësi në raportet sociale të shoqërisë shqiptare nuk ka sesi të mos shfaqet në forma nga më të ndryshmet, sidomos në periudhë zgjedhjesh politike apo edhe administrative. Këto momente nxjerrin mjaft qartë shumë tregues të një sjelljeje politike të të gjithë aktorëve pjesëmarrës, ku dominimi i marrëdhënieve private në ato sociale është mjaft i dukshëm. Madje, vetë konsensusi politik, tregues i një pjekurie politike në një vend me demokraci të zhvilluar, në vendin tonë përgjithësisht funksionon vetëm mbi interesa klanesh dhe interesash më të ngushta politike dhe jo në përfitim të vendit dhe sidomos të ndërtimit të besimit të tij në institucionet demokratike. Kjo mendësi përshkruan gjithë hartimin e ligjit aktual elektoral, i cili ilustron pastër se në nivelin politik, edhe kur konsensusi arrihet, është gjithmonë në përfitim të ndërtimit të institucioneve me demokraci të hapur.

Mendësia klanore i këtij konsensusi shfaqet fillimisht te listat e mbyllura. Ato janë treguesi më i qartë se çfarë prodhon një klasë politike që kërkon të kontrollojë gjithçka nëpërmjet një promovimi të sigurt të klientelës, klientelë kjo që rrethon nga afër dhe me besnikëri liderin. Shenjë kjo edhe bajraktarizmi dhe monizimi bashkë. Klientela jep më shumë garanci në realizimin e qëllimeve, cilado qofshin ato. Ishin të shumtë analistët, të cilët akuzuan liderin e opozitës se në listën e mbyllur kishte vendosur individë të konsumuar nga pushteti, kurse Kryeministri kishte vendosur të rinj. Në fakt, këtu në këtë kontekst, pak rëndësi ka cilësia e listës, të rinj apo të vjetër. Mentaliteti është i barabartë, i njëjtë në të dyja polet më të rëndësishëm të politikës së vendit. Ndryshimi ndërmjet dy liderëve është vetëm teknik: njëri i ndërron kuajt e të njëjtës karrocë, kurse tjetri jo. Sepse aty, në këto lista janë individë të preferuar nga drejtuesi, të pasigurt se marrin votat e duhura nëse do të ballafaqoheshin me listat e hapura. Sido që të komentohet fakti, kjo nuk është demokraci dhe nuk e ndihmon shoqërinë në përgjithësi të bazohet mbi meritën. Kjo e fundit madje si e vetmja mundësi që kanë individët jashtë klaneve për të ecur në shoqëri.

Në fakt, këtë mentalitet të mungesës së delegimit si trashëgimi e hershme dhe të domosdoshmërisë për të kontrolluar gjithçka si trashëgimi moniste, nuk reflektojnë vetëm dy polet politike, as partitë e reja, por mjafton të shihet edhe gjithë jeta publike e vendit, ku ky mentalitet është dominant, karakteristikë e funksionimit të shoqërisë shqiptare. Po ashtu, nga të dyja polet politike kryesore të vendit u konstatua se kandidatët që u përballën me listat e hapura, pra drejtpërdrejtë me elektoratin, nuk kishin as të drejtë për të ankimuar pakënaqësitë e tyre. Pavarësisht raporteve parti-individ, kemi të bëjmë me një fenomen larg të qenurit pozitiv, ku individualiteti i një kandidati shkrihet me partinë. Pra, nuk kemi më të bëjmë me individualitete të ndryshëm, por të bashkuar në një parti, por me një masë amorfe me në krye një lider. Me fjalë të tjera, nëse publiku voton partinë dhe individualitetin, lideri i shkrin në një të vetme. Dhe në këtë pikë, të dyja partitë janë tërësisht njëlloj, përfshi edhe ato të reja pa përjashtim. Ma të drejtë, dikush mund të thotë se duke qenë të njëjta këto parti, përse njëra prej tyre fiton thellë? Analizat këtu mund të jenë pa fund. Po në tërësi ato çojnë në një drejtim. Pas rënies së diktaturës, masivisht shqiptarët u orientuan drejt lirisë.

Mungesat e shumta, shpesh katastrofike në menaxhimin e demokracisë të shoqëruara me padrejtësi të thella sociale, u interpretuan si mangësi të vetë demokracisë e jo si deformime të shkaktuara nga mosdija, papjekuria politike, papërgjegjshmëria sociale e drejtuesve politikë dhe e vetë shoqërisë shqiptare. Pasoja që ndjek fenomene të tilla negative është zhgënjim ndaj vetë demokracisë. Natyrshëm, zhgënjimi do ta kërkojë zgjidhjen jo duke parë para, te kthimi pas në kohën e shkuar. Dhe në raport me besueshmërinë, kthimi pas nënkupton normalisht forcën politike që trashëgon këtë të shkuar edhe politikisht, edhe me raporte sociale. Pjesa tjetër, e cila nuk ka këtë tendencë të kthimit pas, shkon drejt forcave të reja politike. Kurse zhgënjimi nga opozita aktuale nuk shoqërohet me kthim pas, sepse ajo nuk ka trashëgimi të hershme politike.

Ajo është e njëjtë ndaj dhe gërryhet gjithmonë e më shumë. Ma fjalë të tjera, vuajtjet që sjellin padrejtësitë sociale i atribuohen më së shumti kësaj force politike, sepse ishte ajo që mori përsipër ndryshimin, kurse deformimet e qeverisjes konceptohen si gabime individësh që duhen korrigjuar. Në kushte të tilla nuk mund të presësh përmbysje. Ndërkohë nga ana tjetër, vota preferenciale dëshmoi edhe ajo nga ana e saj nivelin në të cilin ndodhen ende shtresa të tëra të shoqërisë shqiptare, në raport me vlerat sociale. Në esencë nuk tregohet shumë besim te vota si institucion në ndërtimin e një demokracie funksionale. Parregullsitë e shumta në vetë procesin e votimeve të shkaktuara edhe me dashje, vjedhja, shpërdorimi, shitblerja e votës që vazhdojnë të jenë të pranishme në masë jo të vogël ende pas disa dekadave, janë dëshmitare.

Në një kontekst të tillë nuk ka asnjë çudi që edhe bota e krimit të ndërhyjë e të promovojë individë anonimë që voto hen masivisht. Raste të kësaj natyre u debatuan publikisht, madje në të dy polet. Fakti që këto fenomene kanë ndodhur jo vetëm ndërmjet partive, por edhe vetë brenda tyre në kontekstin e kandidatëve preferencialë të të gjitha forcave politike, jep po ashtu të qartë dominimin e marrëdhënieve private në ato sociale, karakteristikë e një shoqërie, e cila ende nuk e ka ndarë mirë konceptin “publik” nga ai “privat”. Kjo sepse, nëse çdo individ me pushtet politik administrativ në procesin zgjedhor do të kishte të ndarë qartë dy konceptet e mësipërme, institucioni i votës do të ishte solid dhe i besueshëm. Të gjitha partitë “përleshen” me njëra-tjetrën për të mirën publike, thonë. Por deri më sot, në shoqërinë njerëzore nuk ka ndodhur që dy a më shumë shërbëtorë të vrasin njëri-tjetrin se kush i shërben më mirë padronit.