Fri, Jun 6, 2025

Grabiten një kasafortë me 15 mijë euro, përfundojnë në pranga dy hajdutët! Ja momenti kur e nxjerrin nga ashensori dhe e ngarkojnë në makinë

  • PublishedJune 4, 2025

Grabiten një kasafortë me 15 mijë euro, përfundojnë në pranga dy hajdutët! Ja momenti kur e nxjerrin nga ashensori dhe e ngarkojnë në makinë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas të dyshuar për një vjedhje të ndodhur në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, më datë 2 qershor 2025. Në pranga kanë rënë Arbnor Xhimaj, 40 vjeç, dhe Lejdjan Gjoka, 38 vjeç, të dy banues në Vlorë dhe të dënuar më parë për vepra penale të vjedhjes.

Nga hetimet ka rezultuar se Arbnor Xhimaj ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për një tjetër vepër penale të vjedhjes në të kaluarën.

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë dokumentojnë momentin kur dy autorët mbërrijnë me automjet në zonë, hyjnë në banesë dhe transportojnë kasafortën e vjedhur me ashensor, për ta ngarkuar më pas në bagazhin e mjetit.

Sipas të dhënave, në kasafortë ndodheshin rreth 15 mijë euro para cash. Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët, ndërkohë që kasaforta e vjedhur nuk është gjetur ende dhe vijojnë hetimet për gjurmimin e saj.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.

Vodhën kasafortën me 15 000 euro, në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje. Njëri prej tyre, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale.

Sekuestrohet automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”, për zbardhjen e rastit.

Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.