Fri, Jun 6, 2025

Mashtrimi fiskal me 7 fasoneri, zbardhen emrat e 4 të arrestuarve! Ja kush është italiani që tentoi të arratisej

  • PublishedJune 4, 2025

Mashtrimi fiskal me 7 fasoneri, zbardhen emrat e 4 të arrestuarve! Ja kush është italiani që tentoi të arratisej

Katër persona janë ndaluar nga Policia në kuadër të operacionit “Bankrupt”, të zhvilluar në Elbasan, me dyshimin se kanë falimentuar me qëllim 7 biznese fason, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.

Në pranga kanë rënë shtetasit Algert Kau, 40 vjeç; Giuseppe Lamachia, 60 vjeç (shtetas italian); dhe Zyhra Kreci, 27 vjeçe, të tre me funksion administratorë të subjekteve të përfshira.

Ndërsa një shtetase tjetër, me inicialet E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas Policisë, Lamachia u ndalua në Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërkohë, Algert Kau u kap nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 në Tiranë.

Me vendim të Gjykatës së Elbasanit, është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” për tre administratorët dhe “arrest në shtëpi” për ekonomisten E. S., të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë:

  • Mospagimi i taksave dhe tatimeve
  • Falimentimi i provokuar
  • Mashtrimi
  • Shpërdorimi i kompetencave
  • Fshehja e të ardhurave

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu sekuestrimin preventiv të 7 subjekteve tregtare (fasoneri) si dhe 12 llogarive bankare të lidhura me këto biznese.

Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim për të çuar në falimentim të qëllimshëm këto kompani, me synim shmangien e detyrimeve fiskale dhe përfitime të paligjshme.

Njoftimi:

Çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ekzekutohen masa sigurie për 4 shtetas.

Njëri nga të akuzuarit, shtetas italian, u kap në PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Gjithashtu, vihet sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.

Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:

-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:

shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;

shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;

shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;

-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;

-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.

Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.