Prapaskenat, si Interi u përça përpara finales
“Nuk kam më energji për të vazhduar”. Me këto fjalë, Simone Inzagi e bëri menjëherë të qartë se e ardhmja e tij do të ishte larg Interit. Përballë tij ndodheshin presidenti Bepe Marota, drejtori sportiv, Piero Auzilio dhe zëvendësi i tij, Dario Baçin.
Vetëm ata, askush tjetër. Edhe trajneri kishte ardhur pa menaxherin e tij: një sinjal i qartë se nuk ishte momenti për të folur për rinovimin dhe për të nisur ndonjë negociatë.
“Nuk mund të vazhdoj më, jam i lodhur, mendoj se cikli im këtu ka përfunduar”, vazhdoi trajneri.
Ata që e dëgjonin, e kishin kuptuar tashmë orë më parë se do të vinte deri te ndarja. Asnjë surprizë, pra. Dhe pa dyshim, pas atyre fjalëve të Inzagit, askush nuk ndjeu nevojën të këmbëngulte: nuk ishte rasti dhe nuk është kurrë rasti, kur një person shpreh qartë dëshirën për të ndërprerë marrëdhënien, sepse nuk ndihet më i motivuar.
PËRÇARJA- Atmosfera rreth Interit në ditët që paraprinë disfatën në finalen e Champions Ligës kundër PSG-së nuk ishte aspak e qetë. Lojtarët ishin të vetëdijshëm se Simone Inzagi ishte afër largimit. Sipas burimeve pranë klubit saudit Al Hilal, trajneri, madje, kishte takuar drejtuesit e këtij klubi një ditë para finales. Ishte një situatë e dyshimtë, që nuk u shpëtoi veteranëve në dhomën e zhveshjes. Pikërisht në ato momente, Inzagi kishte provokuar Bastonin dhe Barelën, duke u propozuar atyre një të ardhme së bashku në Arabinë Saudite. Të dy e kishin refuzuar, me mbrojtësin si zgjedhje të parë dhe mesfushorin po aq të vendosur për t’iu përgjigjur “jo”.
Në lojë mbetej edhe Açerbi, por edhe ai do të qëndrojë në Milano. Përpjekja për të ndërtuar një bllok të ri italian jashtë Interit dështoi që në nisje. Për të vërtetuar tensionin, ishin edhe shikimet që shmangeshin në konferencën për shtyp. Në Mynih, Barela buzëqeshi në mënyrë të qartë përpara pyetjeve mbi të ardhmen e trajnerit të tij. Ndërkaq, Inzagi u përgjigj me diplomaci: “Kam oferta nga Arabia dhe jo vetëm, por tani mendojmë vetëm për finalen dhe pastaj do të takohemi si gjithmonë, duke menduar vetëm për të mirën e Interit”. Skuadra u duk në fushën e lojës që ishte e përçarë dhe jo e fokusuar për finalen.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL