Anglia sfidon Andorrën, për të konfirmuar primatin në Grupin K, Tuchel humbet shërbimet e Saka
Anglia do të luajë këtë të shtunë pasdite sfidën e tretë në Grupin K eleminator të Kupës së Botës 2026 ndaj Andorrës, në grupin ku bën pjesë edhe ekipi ynë përfaqësues. Me petkun e favorites jo vetëm për të marrë vendin e parë në këtë grup eleminator, aty ku “Tre Luanët” kryesojnë me 6 pikë pas 2 fitoreve në ndeshjen e parë por edhe për të shkuar sa më larg në Kupën e Botës pas 1 viti, skuadra e Tuchel pritet ta ketë një sfidë tepër të thjeshtë përballjen ndaj modestëve të Andorrës
Ndërkohë lajme jo të mira për teknikun gjerman në prag të sfidës ndaj Andorrës. Sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka, është lënë jashtë skuadrës së Anglisë që do të përballet me Andorrën të shtunën në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës.
Mesfushori i Atletico Madridit, Conor Gallagher, dhe sulmuesi i Aston Villës, Ollie Watkins, janë gjithashtu jashtë nga skuadra për ditën e ndeshjes, për shkak të një dëmtimi të vogël.
Duke folur të premten, trajneri Thomas Tuchel zbuloi se Saka kishte kryer vetëm një seancë të plotë stërvitore gjatë javës, dhe mungesa e tij në sfidën ndaj Andorrës ka shumë gjasë të jetë e lidhur me gjendjen e tij fizike.
Saka, 23 vjeç, ende nuk ka luajtur nën drejtimin e Tuchel-it pasi mungoi në grumbullimin e parë të trajnerit gjerman për shkak dëmtimi.
Mbetet për t’u parë nëse Saka do të luajë në miqësoren ndaj Senegalit më 10 qershor, për të shtuar në totalin e tij prej 43 paraqitjesh me fanellën e Anglisë.
Anësori humbi tre muaj të sezonit, nga dhjetori deri në prill, për shkak të një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës, por u rikthye për dy muajt e fundit të kampionatit.