Sat, Jun 7, 2025

Lehtësi për pensionistët, të moshuarit përjashtohen nga taksa e pronës dhe përfitojnë nga falja e gjobave

  • PublishedJune 7, 2025

Lehtësi për pensionistët, të moshuarit përjashtohen nga taksa e pronës dhe përfitojnë nga falja e gjobave

VOLTIZA DURO/ Qeveria shqiptare po harton një paketë të re masash për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të moshuarve, duke synuar uljen e varfërisë në këtë grup-moshë përmes lehtësirave të ndjeshme fiskale.

Një ndër pikat kryesore të nismës është përjashtimi nga taksat mbi pronën për individët mbi 60 vjeç, veçanërisht ata që përfitojnë pension social ose që kanë të ardhura më të ulëta se pensioni mesatar. Ky përjashtim do të zbatohet për banesat, tokat bujqësore, ullinjtë, vreshtat apo apartamentet në zonat bregdetare dhe malore, edhe nëse ato shfrytëzohen si burim të ardhurash shtesë përmes platformave si Airbnb.

Paketa parashikon gjithashtu lehtësira të tjera që lidhen me shërbimet jetike. Të moshuarit do të përfitojnë nga reduktimi i çmimit të energjisë elektrike, përfshirje në kategorinë e klientëve në nevojë, mbulim i qirasë përmes bonusit të strehimit, si dhe transport publik falas.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë rol kyç në zbatimin e këtyre masave, duke lëshuar karta të posaçme pensionisti që do të garantojnë përfitimin nga këto lehtësira. Shembulli i Bashkisë Korçë, që ka aplikuar me sukses këtë model, pritet të shërbejë si udhërrëfyes për 61 bashkitë e vendit.

MBËSHTETJA SHËNDETËSORE

Në planin shëndetësor, po shqyrtohet rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme për të mbuluar më mirë nevojat e pensionistëve, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike si diabeti, Alzheimeri, Parkinsoni apo sëmundje të shëndetit mendor. Objektivi është reduktimi i kostove të trajtimit dhe përmirësimi i autonomisë për të moshuarit që jetojnë të vetmuar. Ndër treguesit kryesorë të performancës janë përfshirja e plotë e të moshuarve në përfitimin nga këto masa, përjashtimi nga taksat për ata me të ardhura minimale, dhënia e kartës së pensionistit në çdo bashki dhe reduktimi i penaliteteve financiare për këtë kategori.

Një ndër synimet është edhe heqja e taksës vjetore për automjetet personale të të moshuarve mbi 65 vjeç. Këto masa synojnë jo vetëm lehtësimin e barrës fiskale për të moshuarit, por edhe një nivel më të lartë të dinjitetit dhe mirëqenies në moshën e tretë. Paketa ofron mundësi për individët e moshës së tretë që të angazhohen në aktivitete të gjelbra si bujqësia e qëndrueshme, fermat, blegtoria etj.. Kjo vlen për të gjithë të moshuarit e zonave rurale, që në pjesën më të madhe hyjnë në kategorinë e të moshuarve të vetmuar, por që aktualisht kanë aftësi fizike dhe mendore dhe janë aktivë. Në mënyrë të veçantë gratë e moshuara në zonat rurale, të cilat merren me bagëtitë apo me punët e shtëpisë, duke qenë pronare me burrat, nëpërmjet lehtësirave të formularëve të aplikimit dhe një diskriminimi pozitiv, mund të mbështeten për të përfituar nga grantet e AZHBR-së, (Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural).

Rehabilitimi i hapësirave të gjelbra është një tjetër mundësi për punësimin në sektorin e gjelbër. Kjo mund të zhvillohet në nivele të pushtetit lokal, duke vënë në dispozicion hapësira publike në pronësi të bashkive, për të nxitur zhvillimin e kopshtarisë. Kështu do të krijohen mundësitë e punësimit për individët e moshës së tretë, aktivizimi në punët vullnetare, që ndihmojnë jetesën aktive të tyre dhe përfshirjen në shoqëri dhe rritjen e të ardhurave.

/Gazeta Panorama