Ndalimi i përkohshëm i tregtimit të mishit në Shkodër, blegtorët pakënaqësi: Sëmundjet tek kafshët nuk janë një fenomen i ri, po penalizohemi me të padrejtë
Ndalimi i përkohshëm i tregtimit të mishit në Shkodër, si masë parandaluese ndaj përhapjes së murtajës së ruminantëve të vegjël, ka shkaktuar pakënaqësi të forta tek blegtorët e zonës. Ata e konsiderojnë këtë vendim të padrejtë dhe penalizues, duke theksuar se janë goditur rëndë ekonomikisht, pavarësisht se bagëtitë e tyre nuk rezultojnë të sëmura.
Ata shprehen se sëmundjet tek kafshët nuk janë një fenomen i ri dhe se autoritetet duhet të veprojnë në mënyrë të diferencuar, duke mos i përfshirë në masa bllokuese ata që janë të rregullt dhe nuk kanë pasur raste të konfirmuara.
Blegtorët kërkojnë rishikim të masave nga autoritetet përkatëse, pasi ndalimi i tregtimit në të gjithë zonën, pavarësisht kushteve të secilit subjekt, po rrezikon t’i çojë drejt falimentimit. Sipas tyre, ndëshkimi kolektiv nuk është zgjidhje efektive për frenimin e sëmundjes.
Rasti i murtajës u konfirmua ditë më parë në fshatin Domen të njësisë Postribë, çka çoi në ndalimin e lëvizjes së kafshëve dhe shitjes së mishit në zonat e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Autoritetet veterinare deklaruan se kjo është një masë parandaluese deri në izolimin e plotë të vatrës së infeksionit.