“I privilegjuar të drejtoj Interin”, Chivu me mendjen te trofetë: Do tentojmë Botërorin e Klubeve
Christian Chivu tha fjalët e para si trajner i Interit, teksa u shpreh i lumtur për nisjen e kësaj aventure të re në pankinën zikaltër.
“Jam shumë i nderuar për këtë detyrë që më është besuar. Kam ambicie dhe pasion, dhe këto dua t’ua përcjell lojtarëve. Duhet të bëjmë atë që meriton një klub si Interi: të arrijmë deri në fund dhe të luftojmë për të fituar. Duam të mbyllim këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Chivu për faqen zyrtare të klubit.
Trajneri rumun u ndal edhe te Botërori për Klube, ku Interi do të marrë pjesë në verë: “Duhet të rikuperojmë energjitë mendore dhe të përgatitemi për të bërë atë që i takon një skuadre si Interi: të tentojmë ta fitojmë trofeun.”
Ai theksoi rëndësinë e grupit dhe identitetit të përbashkët: “Shpirti i skuadrës, përkatësia dhe ambicia janë themel për të ndërtuar një ekip të fortë. Nga Parma kam sjellë me vete dëshirën për të arritur objektivat dhe për të mos u dorëzuar kurrë.”
Në fund, Chivu u bëri thirrje edhe tifozëve: “Na duhet mbështetja e të gjithëve. Duhet të besojmë, të jemi entuziastë dhe të shohim me pozitivitet drejt sezonit të ri.”