“Kamera e qytetares filmoi momentin kriminal të…”, Berisha denoncon me video ‘farsën’ elektorale: Patronazhistët blen vota në Babrru
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot, kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me akuzat drejt qeverisë dhe Partinë Socialiste për përfshirje në blerje votash, ku mëtej publikoi edhe një video që, sipas tij, tregon patronazhistë të PS-së duke shpërndarë para në këmbim të votës në zonën e Babrrusë, në Tiranë.
“Narko-qeveria e Edi Ramës nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove për pensionistët, dhurimin e 200 milionë eurove në gjoba dhe kamata dy ditë para zgjedhjeve, apo me firmosjen masive të lejeve të legalizimit dhe punësimet e reja në administratë. Kaloi në fazën e blerjes direkte të votës, duke shpërndarë para në mënyrë të fshehtë,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, ky veprim është pjesë e një skeme kriminale të organizuar në mënyrë sistematike nga strukturat e PS-së dhe qeverisë. Ai theksoi se pamjet janë realizuar nga qytetarë të cilët “syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave”.
“Bëhet fjalë për Tiranën, për Babrrunë, jo për ndonjë zonë të thellë. Ky regjim i filmon njerëzit dhe i ndjek, por tani po ndiqet vetë,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një farsë të mirëorganizuar.
Ai tha se opozita do të vazhdojë të paraqesë fakte për atë që e cilëson si delegjitimim të plotë të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet, ndërsa bëri thirrje për hetim të menjëhershëm të këtyre rasteve.
Sali Berisha: Narko qeveria, e kreut të organizatës kriminale Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 mln euro për pensionistët, për blerjen e votës, me dhurimin e 200 mln euro gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetra mijëra leje të legalizimit, me përdorimin e dhjetra mijëra automjeteve pa lidhje me fushatën elektorale, me punësimin në qeverisjen lokale dhe qendrore, por kaloi direkt në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë. Shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet, ata që kryejnë bëjnë çdo gjë që të fshihet çdo gjurmë. Megjithatë, kamerat e qytetarëve syçeltë kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për votë. Kjo, jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo Tropojë. Jo. Në Tiranë, në Babrru.
Kjo i filmon dhe u bën të ditur se po i ndjek, po i gjurmon.
Këto zgjedhje janë farsë dhe nuk janë zgjedhje. Ndaj dhe ne paraqesim para mediave dhe shqiptarëve fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet.