Një yll i skenës rrëmben çmimin më të madh në Broadway
Nicole Scherzinger u nderua me çmimin e saj të parë në Broadway gjatë edicionit të 78-të të Tony Awards, të mbajtur në Radio City Music Hall, në New York. Këngëtarja 46-vjeçare, e njohur nga grupi Pussycat Dolls, u shpall Aktorja më e Mirë në një Musical për interpretimin e saj si Norma Desmond, një yll i rënë i Hollivudit, në musical-in Sunset Boulevard, i bazuar në filmin klasik të vitit 1950 nga Billy Wilder.
E përlotur, artistja u shpreh në fjalimin e saj:
“Kur isha e vogël gjithmonë ndihesha sikur nuk përkasja askund, por ju më keni bërë të ndihem si në shtëpi. Më në fund kam ardhur në shtëpi.”
Ajo falënderoi të fejuarin e saj Thom Evans, duke shtuar: “Ai beson tek unë edhe kur unë harroj të besoj tek vetja.”
Në fjalimin e saj, falënderoi gjithashtu Zotin, nënën që e solli në jetë në moshën 18-vjeçare dhe që “sakrifikoi gjithçka” për të. Scherzinger u shpreh krenare për rrënjët e saj hawaiane, ukrainase dhe filipinase.
Në të njëjtën mbrëmje, Darren Criss, 38 vjeç, mori çmimin e tij të parë si Aktori më i Mirë në një Musical, për rolin në Maybe Happy Ending, një shfaqje që trajton temat e dashurisë, vetmisë dhe vdekshmërisë përmes historisë së dy robotëve ndihmës, Oliver dhe Claire. Shfaqja u vlerësua edhe me çmimin Best Musical.
Ndërkohë, në një rezultat të papritur, George Clooney, 64 vjeç, humbi çmimin Aktori më i Mirë në një Dramë për shfaqjen Good Night, And Good Luck, duke ia lënë vendin Cole Escola, 38 vjeç, që fitoi për interpretimin në shfaqjen satirike Oh, Mary!, të cilën e ka shkruar dhe në të cilën luan vetë.