Nuk i pranohet kërkesa për masë më të lehtë sigurie, Apeli i Posaçëm lë në fuqi masën “arrest në burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca u zhvillua pa praninë e vetë Veliajt, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit, pas arrestimit me urdhër të SPAK. Ai u përfaqësua në sallë nga avokati i tij, Ermir Beta.
Përmes mbrojtjes ligjore, Veliaj kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, duke ofruar si alternativë një garanci pasurore, pa specifikuar një shumë të caktuar, duke ia lënë vlerësimin gjykatës. Megjithatë, trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, rrëzoi kërkesën, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për mbajtjen e tij në paraburgim.
Erion Veliaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv në 9 episode të dyshuara dhe pastrim parash. Që nga arrestimi i tij, kryebashkiaku ka paraqitur disa herë kërkesa për lirimin nga paraburgimi, por të gjitha janë rrëzuar nga gjykata.