Banka Botërore ul parashikimin për rritjen ekonomike

Banka Botërore parashikoi një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike botërore, përfshirë Shqipërinë për vitin 2025 dhe për dy vitet në vijim, bëhet e ditur në raportin e fundit Perspektiva ekonomike botërore që u publikua të martën.
Ekonomia botërore do të rritet me 2.3% këtë vit, sipas parashikimit të ri, “me ngadalësim në shumicën e ekonomive në krahasim me vitin e kaluar,” shënohet në raport.
“Kjo është rritja më e ngadaltë e regjistruar që nga viti 2008, me përjashtim të recesioneve”, shton raporti.
Si rrjedhojë e rritjes së ngadaltë, progresi i vendeve të varfra për të luftuar varfërinë ekstreme do të jetë “i pamjaftueshëm”.
Rreziqet janë për rritje edhe më të dobët se kaq, për shkak se lufta e tarifave ka rrezik të zgjasë e madje të përshkallëzohet, gjë që do të sjellë rritje të rreziqeve dhe pasigurive me të cilat duhet të përballen aktorët ekonomikë.
Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet në masën 3.2% këtë vit dhe do të ngadalësohet më tej në 3.1% në dy vitet e ardhshme, nëse parashikimi i Bankës Botërore del i saktë. Parashikimi i mëparshëm fliste për rritje ekonomike në masën 3.5% për këtë vit dhe 3.4% në vitet 2025 dhe 2026.
Më ngadalë se sa numri i pensionistëve
Ekonomia e Shqipërisë vlerësohet aktualisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar se ka një potencial rritjeje në masën 3.5%, me opsionin që, nëse integrimi Evropian i vendit do të përparojë dhe fondet e Bashkimit Evropian për “konvergjencë” do të jenë të konsiderueshme, atëherë rritja do të jetë më e lartë se sa kaq. Por për tre vitet e ardhshme, parashikimi është pothuajse gjysmë përqindjeje më i vogël se sa potenciali, gjë që, në terma monetarë, është e barabartë me 125 milionë euro më pak.
Vlerësimi për rritjen potenciale të Shqipërisë ishte 4.5% për periudhën pas krizës së vitit 2008 deri vitin e kaluar, por u reduktua në 3.5% kur Censi i popullsisë dhe banesave ekspozoi një shkallë të lartë emigrimi mes grupmoshave të reja dhe plakje të shpejtë të popullsisë.
Problemi kryesor duket se është që numri i qytetarëve shqiptarë në moshë pensioni ka gjasa do të rritet më shpejt se sa kaq dhe rritja ekonomike do të jetë e pamjaftueshme për të paguar pensione me fuqi blerëse të barabartë me vitet e kaluara, e aq më pak, që të mund të rrisë pensionet nga niveli i tyre aktual, rreth 600 lekë në ditë.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensioneve që paguhen në Shqipëri arriti në 705 mijë në vitin 2023, me rritje prej 18 mijë vetësh ose 2.6% më shumë se sa në vitin 2022. Të dhënat për vitin 2024 nuk janë publikuar ende. Ritmi i rritjes së numrit të pensionistëve ka gjasa do të jetë më i lartë, pasi brezi i shqiptarëve të lindur në vitet 70 të shekullit të njëzetë është shumë më i numërt se sa ato të gjeneratës së mëparshme. Në këtë kontekst, rritja e ekonomisë prej 3.2% vështirë se mjafton për të mbuluar nivelin aktual të pensioneve, pa lënë hapësirë për rritje pensionesh.