Katër skenarë për Ukrainën!
NGA DR. JORGJI KOTE
Interesi dhe përpjekjet ndërkombëtare për armëpushim dhe paqe në Ukrainë janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit; ndonëse pa ndonjë rezultat premtues për shkaqe dhe arsye tashmë të njohura. Edhe në frontin e luftimeve, pavarësisht nga disa aksione ushtarake e sidomos sulmi i befasishëm më 1 qershor mbi bombarduesit strategjikë në thellësi të territorit rus Ukraina nuk ka shënuar ndonjë përparim të ndjeshëm; për pasojë, ajo nuk e ka realizuar dot kthesën e shumëpritur.
Për më tepër, fitorja dhe paqja e vërtetë për Ukrainën, në kuptimin e rimarrjes nën kontroll të rajoneve të pushtuara në vitin 2022, tërheqjen e plotë ruse nga territoret e pushtuara në vitin 2014 duke përfshirë Krimenë, rënien e Putinit dhe fundin e “imperializmit rus” gjithnjë e më shumë tingëllon thjesht “dëshirë e mirë”.
Nga ana e vet, pas disa gabimeve të mëparshme, ndonëse me ritme të ngadalshme, Rusia vazhdon përparimin ushtarak; ajo duket e vendosur dhe po përgatitet fort për “luftë të gjatë” duke filluar nga zgjerimi i rekrutimit dhe armatimit ushtarak.
Këtë fakt e konfirmoi në një intervistë të tij në fillim të muajit qershor dhe Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili mohoi mundësinë e një “disfatë totale të Rusisë”. Madje, ai nuk foli për një fitore të Ukrainës, por thjesht kërkoi që ajo “të ketë sukses kundër agresionit rus” në mënyrë, me qëllim që “të jetë në pozicione të forta negociuese” në tryezën e bisedimeve të paqes.
Në këto kushte, gjasat janë më së shumti që në një të ardhme të afërt, Ukraina të humbasë 1/5 e territorit tashmë të pushtuar nga Rusia.
Por, krahas fatit të saj, pyetja tjetër madhore që shtrohet është se çdo të ndodhë me pjesën e mbetur, d.m.th. 80 për qind të territorit që do t’i mbetet.
Nisur nga sa sipër, politologë dhe ekspertë me emër kanë shtuar thirrjet për një strategji të re për Ukrainën, me qëllim përcaktimin e objektivit të qartë të luftës.
Për këtë qëllim, përveç analizave dhe parashikimeve politike të think tank-eve dhe fondacioneve të shumta, për paqen në Ukrainë me rrjedhojat e saj të pritshme janë tejet të interesuar dhe institucionet financiare ndërkombëtare, bankat e mëdha shumëkombëshe, etj. Kjo shpjegohet me nevojat e tyre për të parashikuar politikat dhe zhvillimet ekonomike dhe tregtare, investimet dhe ndërhyrjet në tregje, etj.
Edhe pse nuk janë të natyrës akademike, analizat e tyre pasqyrojnë më qartë dhe saktë preokupimet e aktorëve kryesorë ekonomikë përballë pasigurive gjeopolitike që ndikojnë mbi tregjet, zinxhirët e furnizimit, kontratat e sigurimit, investimet, etj.
Në këtë drejtim kohët e fundit ka qenë tejet aktiv Departamenti Gjeostrategjik i Grupimit më të madh bankar amerikan “JP Morgan Chase”, i cili ka ofruar 4 skenarë hipotetikë të paqes në Ukrainë, me rrjedhojat dhe pasojat përkatëse.
I pari me 50 për qind shanse është skenari Gjeorgjian, i cili parashikon përfundimin shkallë-shkallë të armiqësive, por pa ndonjë marrëveshje paqeje. Sipas kësaj hipoteze, ashtu si Gjeorgjia pas vitit 2008, edhe Ukraina do të pozicionohet në një zonë gjeopolitike gri: as fitimtare dhe pa garanci lidhur me sovranitetin.
Nga ana tjetër, mungesa e garancive politike dhe ushtarake europiane e sidomos amerikane, do të favorizonte një rikthim të ngadalshëm por real të ndikimit rus, të motivuar nga shkaqe dhe faktorë thelbësorë ekonomikë, politikë dhe kulturorë.
Kievi do të mbetej jashtë NATO-s, ndoshta dhe BE-së. Ekonomia ukrainase, e prekur nga humbja e rajoneve më të zhvilluara do të ishte në varësi të kapitalit të huaj dhe pa garanci të qëndrueshme juridike. Të shoqëruar me shpopullim masiv për shkak të largimit pa kthim të miliona refugjatëve ukrainas në Europë.
Përfundimisht, sipas skenarit gjeorgjian do të ketë vetëm përfundim të luftës, por jo paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme, çka në një plan afat-mesëm do ta dobësonte më tej Ukrainën. Ukraina do të jetë vërtet shtet i pavarur, por siguria dhe qëndrueshmëria e saj politike do të jenë nën kërcënimin Rus. Pasojë tjetër serioze do të jetë dështimi i integrimit perëndimor të Kievit.
Sipas skenarit të dytë, “modelit të Izraelit” me 20 për qind shanse Ukraina do të kthehet në një “fortesë të blinduar” dekurajuese ndaj armikut, e cila, ashtu si Izraeli, do të bashkëjetojë me konfliktet përreth. Për pasojë, Ukraina do të jetë në luftë të përhershme në një linjë të lëvizshme fronti, por dhe përfituese e mbështetjes së madhe ushtarake dhe ekonomike perëndimore, edhe pse pa praninë direkte të trupave të tij ushtarake. Modernizimi ushtarak do të vijojë, i mbështetur me forcimin e industrisë ushtarake mbrojtëse. Ekonomia do të rimodelohet, por paqëndrueshmëria kronike, humbjet njerëzore dhe dëmtimet logjistike do të dobësojnë rritjen ekonomike dhe moralin e përgjithshëm kolektiv të popullsisë.
Skenari i tretë dhe më i dëshirueshmi në kushtet e krijuara, sipas ekspertëve të “JP Morgan Chase” dhe të Peter R.Neumann, profesorit të mirënjohur të çështjeve të sigurisë në “Kings College në Londër synon krijimin e një “ Ukraine si Korea e Jugut” edhe pse mendohet se me 15 për qind shanse. Ai presupozon një linjë të ngrirë në front, ushtri të modernizuar, por gjithmonë jo anëtare e NATO-s.
Sipas këtij skenari gjithmonë hipotetik, Ukraina do të mbajë 80 për qind të territorit të saj. Ndërkohë, një prani europiane në terren ( forcë simbolike dekurajuese) e kombinuar me mbështetje ushtarake dhe ndihmën e zbulimit amerikan do të jenë baza e një begatie të moderuar ekonomike dhe e mbrojtjes efektive ukrainase.
Për rrjedhojë, Ukraina do të kthehet në një bastion perëndimor në lindje të Europës, duke u mbrojtur nga pretendimet ruse dhe në një laborator rindërtimi, duke shfrytëzuar pasuritë e ngrira ruse. Dekurajimi për Rusinë do të bëhet nëpërmjet modernizimit të ushtrisë dhe pa stacionim të forcave të huaja ushtarake.
Kështu do të ketë “paqe të ftohtë” të qëndrueshme dhe të përballueshme ekonomikisht, me stimuj tërheqës strategjikë për partnerët perëndimorë.
Siç mund të shihet, ideja thelbësore e këtij skenari është që Ukraina të bëhet si Korea e Jugut, pra një zonë me ekonomi dhe demokraci perëndimore të zhvilluar. Veç të tjerash, kështu do t’i jepej fund luftës së nxehtë dhe për shumicën e ukrainasve do të çeleshin perspektiva të mëdha zhvillimi në të gjitha fushat jetike.
Sa për “imperiazmin rus” ai vërtet nuk do të fundosej, por ama “do t’i vihej kufiri te thana”. Pastaj, me kalimin e kohës, ashtu gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, mund të vinte një situatë e tillë ku suksesi i pjesës perëndimore të kthehej në një “magnet” për pjesën lindore. Natyrisht si dhe në rastin e Gjermanisë: “një ribashkim në liri” nuk do të realizohej brenda natës dhe as pas një viti, ndoshta nuk do të realizohej fare, por të paktën kjo mundësi nuk do të përjashtohej.
Sipas ekspertëve, realizimi i këtij skenari varet nga këta tre aktorë/faktorë:
Së pari, duhet të bindet Trumpi, të cilit deri tani nuk i ka pëlqyer dhe as i ka interesuar ideja e BE-së për një “një luftë pa mbarim” në Ukrainë. Kështu, kur ai të shohë se Europa e ka një plan konkret dhe realist për të përfunduar “fazën e nxehtë” të luftës dhe është e gatshme të përballojë dhe kostot përkatëse, reagimi i tij mund të ndryshojë. Madje, ndoshta atëherë amerikanët mund të premtonin dhe dhënien e garancive të tyre të shumëpritura të sigurimit për Ukrainën.
Së dyti, kërkohet vazhdimi i mbështetjes më të fortë ushtarake për Ukrainën, që Putini të shohë se Perëndimi nuk është i lëkundur, por i vendosur dhe i bashkuar.
Siç pohon dhe Peter R.Neumann, vetëm kur Ukraina ta mbajë përherë Rusinë nën trysni, Putinit do t’i duket më joshëse tryeza e negociatave dhe jo fushëbeteja!
Kërkesa e tretë dhe më e vështira është gatishmëria e Ukrainës për lëshime dhe tërheqje. Ca më tepër kur për mbështetësit e Ukrainës skenari Koreano Jugor do të shihej dhe si një lloj “tradhtie”. Mirëpo çfarë alternativë tjetër do të mbetej?
Vetëm skenari i katërt, ai Bjellorus, më i keqi për Ukrainën, të cilin e etiketojnë ndryshe dhe “Kapitullim i maskuar” por shyqyr që ka vetëm 15 për qind shanse.
Ky skenar i zi siç e quajnë, do të shkaktojë rënien politike dhe ushtarake të Ukrainës, duke e kthyer atë në shtet vasal të Rusisë. Për pasojë, do ketë ulje masive të mbështetjes perëndimore, të shoqëruar me çarmatimin e ushtrisë ukrainase. Kësisoj, do të jetë Kremlini që do të imponojë kushtet e rënda: asnjanësi e detyruar, largimi i Zelenskit, kontrolli rus mbi të paktën 20 për qind të territorit dhe rikthimi i ndikimit politik dhe diplomatik rus mbi Kievin.
Për pasojë, Ukraina do të bëhet shtet satelit i Rusisë; ajo do të humbasë pavarësinë reale dhe Perëndimi do ta varrosë përfundimisht procesin e zgjerimit drejt Ukrainës dhe Lindjes. Ky skenar do të kthejë prapa dhe Europën në periudhën e para vitit 1945, duke shkaktuar destabilizim të vazhdueshëm të rendit të sotëm botëror.
Përfundimisht, skenari Bjellorus do shënonte disfatën strategjike të Perëndimit, fitoren politike të Kremlinit dhe një precedent serioz për konflikte të tjera të ngrira.
Ja pse për të shmangur çdo rrezik, dhe ndonëse “nën rrogoz” po i mëshohet fort skenarit koreanojugor. Kjo sepse dhe në rast se Ukraina do të vazhdojë të forcohet ushtarakisht me ndihmën perëndimore, sërish do të jetë tejet e vështirë, për të thënë e pamundur, që Rusia të tërhiqet nga zonat e pushtuara; ca më pak kur ajo po synon dhe po lufton për zgjerimin e tyre të mëtejshëm, madje dhe për sulme të pritshme ndaj vendeve anëtare të NATO-s, duke shkaktuar alarm dhe te Aleanca dhe vetë Gjermania! Se mendoni kur në vitin 2022 Rusia ishte shumë më e dobët dhe Amerika shumë më e vendosur dhe prapë bashkë me Kievin Perëndimi i bashkuar nuk arriti ta mposhtte Rusinë. Atëherë si mund të ndodhë ndryshe tani, ca më tepër kur SHBA-të nën Presidentin Trump “po e kthejnë pllakën”?
Kjo duket qartë dhe në faktin se në asnjë prej këtyre skenarëve hipotetikë nuk përmendet një humbje e luftës dhe dështimi i Rusisë. Madje, siç kanë pohuar javët e fundit shumë ekspertë të mirënjohur, si korrespondenti veteran i BBC-së në Moskë, Steve Rosenberg, fituesi i pokerit global është Putini, i cili dikton dhe rregullat e lojës gjeopolitike.
Ndaj, siç pohon Peter Neumann javën e kaluar në një intervistë të tij për “Le Monde”, kush ka iluzione për një “fitore totale” të Ukrainës, i heq shumicës dërmuese të popullit të saj një mundësi të mirë për të ardhmen e tyre. Ndonëse për ta “Korea e Jugut” nuk do të ishte “fitore” është e sigurt se ajo do të ishte një hap i madh përpara drejt Perëndimit”.
Së fundi, sa për atë se cili nga këto 4 skenarë do të zbatohet, kjo do të jetë në varësi të gatishmërisë së Perëndimit, ambicieve ushtarake ruse dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Gjithsesi, në të katër këto skenarë bien në sy dy parametra thelbësorë që përcaktojnë dhe trajektoren e përpjekjeve për variantin më të mirë.
Nga njëra anë, masa e lëshimeve që është gati të bëjë çdo kamp lidhur me territoret, sovranitetin ose aleancat. Nga ana tjetër, besueshmëria dhe mosdhënia e garancive të sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës, pa të cilat çdo paqe do të mbetej e kërcënuar. Ndaj, ta mbyllim këtu duke theksuar konsensusin e gjerë që ekziston kudo se pa garancitë amerikane të sigurimit dhe pa një mbështetje të përhershme ushtarake, Ukraina mund të përfundojë si Gjeorgjia apo ca më keq akoma si Bjellorusia.