Rinumërimi i votave në Tiranë dhe Fier, kryekomisioneri Celibashi: Ja kur do të nisë procesi, do të realizohet nga stafi i KQZ-së
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, doli sot në një konferencë për mediat, ku dha detaje mbi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit në qarqet Tiranë dhe Fier.
Celibashi njoftoi se rinumërimi do të nisë të hënën ose të martën e javës së ardhshme dhe do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit “Farie Hoti” në Tiranë. Ai sqaroi se përgatitjet për këtë proces kanë kërkuar më shumë se një javë kohë.
“Procesi do të fillojë të hënën ose ndoshta të martën e javës që vjen. Është dashur pak më shumë se një javë për të përgatitur gjithçka”, deklaroi Celibashi.
Kreu i KQZ-së theksoi se rinumërimi do të kryhet tërësisht nga stafi i KQZ-së, pa përfshirjen e partive politike. Sipas tij, vendimi për rinumërim është marrë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga subjekte zgjedhore dhe kandidatë për deputetë.
“KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje pas vlerësimit të pretendimeve të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve. Procesi i rinumërimit është kompetencë e këtij organi, ndërsa KQZ do të kujdeset për zbatimin teknik të tij”, sqaroi Celibashi.
Në total, do të rinumërohen 610,301 vota në dy qarqet, një proces që pritet të zgjasë 18 deri në 20 ditë.
Ilirjan Celibashi: Në lidhje me vendimmarrjen e fundit të KAS për, sipas të cilave është urdhëruar rinumërimi i votave për subjekte dhe kandidatët për qarkun Tiranë dhe Fier.
Në lidhje me organizimin e këtij procesi, do të realizohet nga stafi i KQZ. Partitë politike nuk kanë asnjë lloj angazhimi në këtë proces.
KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe të kandidateve për deputetë.
Ngelet për tu parë se sa qëndrojnë këto pretendime pas rivlerësimit të këtij procesi, i cili është i gjithi kompetencë e KAS.
KQZ do të realizojë nga pikëpamja teknike këtë proces.
Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610 301 vota për 2 qarqet.
Procesi do fillojë të hënën ose ndoshta të martën e javës që vjen. Është dashur pak më shumë se një javë për të përgatitur këtë proces.
Procesi do të zhvillohet se ambientet e pallatit të sporti Farie Hoti. Kemi dashur ta zhvillojë te Parku Olimpik, por për shkak të kampionatit të volejbollit nuk mund të zhvillohet atje.
Do ngrihen rreth 25 grupe numërimi të përbërë nga stafi i KQZ. Procesi do marri 18 deri në 20 ditë për të përfunduar.