Thu, Jun 12, 2025

Si po plaket popullsia?! Elona Gjebrea: Shpopullimi nuk vjen vetëm nga emigracioni, por edhe nga bilanci negativ i lindjeve dhe vdekjeve

  • PublishedJune 10, 2025

Si po plaket popullsia?! Elona Gjebrea: Shpopullimi nuk vjen vetëm nga emigracioni, por edhe nga bilanci negativ i lindjeve dhe vdekjeve

Elona Gjebrea, ka folur në emisionin “Log.” në News24 për sfidat demografike që po përjeton Shqipëria, duke theksuar se emigracioni nuk është faktori i vetëm që ndikon në shpopullim.

“Në një vend të vogël si Shqipëria, Tirana është joshëse për fuqinë punëtore dhe për mundësitë që ofron, por duhet të mendojmë për politika që nxisin zhvillimin edhe jashtë kryeqytetit,” tha Gjebrea.

Ajo përmendi ndikimin që kanë pasur zhvillimet e reja në turizëm dhe infrastrukturë, duke theksuar se këto faktorë mund të ndihmojnë në zhvendosjen e vëmendjes nga Tirana dhe në përmirësimin e shpërndarjes së popullsisë. Sipas saj, politika të tilla si pagesa 2–3 herë më e lartë për mjekët që shërbejnë jashtë Tiranës janë një model që synon të nxisë lëvizshmërinë dhe aksesin më të mirë në shërbime.

Gjebrea nënvizoi se problematika e popullsisë nuk lidhet vetëm me emigracionin, por edhe me bilancin natyror negativ mes lindjeve dhe vdekjeve.

“Shqipëria ka pasur mesatarisht një diferencë prej rreth 20 mijë banorësh në vit mes lindjeve dhe vdekjeve gjatë dekadës 2011–2020. Por për herë të parë, në vitin 2021, pas pandemisë COVID-19, vdekjet tejkaluan lindjet, duke sjellë një shtesë natyrore negative,” theksoi ajo.

Sipas të dhënave të vitit 2023, Tirana shënoi një bilanc pozitiv me 833 lindje më shumë se vdekje. Por situata është më shqetësuese në disa qarqe të tjera si Korça, Kukësi, Dibra dhe Lezha, ku vdekjet kanë qenë më të shumta se lindjet.

“Ky është një fenomen kombëtar që kërkon analizë të thelluar dhe politika të qëndrueshme. Duhet një vëmendje më e madhe për të kuptuar shkaqet reale të kësaj tendence që prek të ardhmen e vendit,” përfundoi Gjebrea.