Vdekja misterioze e foshnjës 5-muajshe në Greqi, babai shqiptar lihet i lirë, por me një kusht…
Është mbyllur në orët e mbrëmjes së të martës dëshmia e 43-vjeçarit shqiptar, babai i foshnjës 5 muajshe që humbi jetën në ishullin e Parosit. Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik grek dhe komunitetin lokal.
Prokuroria greke ka ngritur akuza ndaj prindërve për veprën penale “ekspozim i fëmijës që solli vdekjen”, megjithatë babai është lënë i lirë, me kushtin e vetëm që t’i ndalohet dalja jashtë Greqisë, sipas deklaratës së avokatit mbrojtës, Konstantinos Dokimakis.
Sipas burimeve hetimore, është përjashtuar mundësia e një krimi me dashje, ndërsa dyshohet fort se fëmija ka humbur jetën për shkak të ekspozimit të zgjatur në diell, pa ndërhyrjen në kohë të prindërve, të cilët nuk kuptuan rrezikun që përbënte situata.
Të dy prindërit u arrestuan të hënën dhe u paraqitën të martën para prokurorisë në Syros, në kuadër të procedurave hetimore. Ndërkohë, nëna ka kërkuar dhe ka marrë afat për të dëshmuar të enjten në mëngjes.
Ngjarja ka hapur debat të gjerë në Greqi për kujdesin ndaj fëmijëve dhe përgjegjësinë prindërore, ndërsa pritet që hetimet mjekoligjore të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet e sakta të vdekjes së foshnjës.