Tue, Jun 17, 2025

Çelsi “zhduk” Brojën, vëmendje për të gjithë lojtarët me përfaqësueset përveç sulmuesit kuqezi

  • PublishedJune 11, 2025

Çelsi “zhduk” Brojën, vëmendje për të gjithë lojtarët me përfaqësueset përveç sulmuesit kuqezi

Shanset e Armando Brojës për të qenë përsëri pjesë e Çelsit janë 0. Nëse ndokush kishte dyshime për këtë, mjafton të shohësh faktin se në klubin blu as që kujtohen më për sulmuesin kuqezi dhe nuk i kushtojnë aspak vëmendje.

Gjatë dritares të ndeshjeve ndërkombëtare, londinezët kanë shkruar vazhdimisht artikuj për futbollistë të cilët u janë bashkuar përfaqësueseve të tyre, duke detajuar kontributin në fushë, minutat e luajtura apo edhe qoftë qëndrimin në pankinë.

I vetmi që mungonte në këto shkrime ishte pikërisht Armando Brojën, ndonëse ai ka luajtur titullar në të dy ndeshjet e kuqezinjve në muajin qershor. Një “harresë” që nuk është rastësore, pasi në klubin e Çelsit i kanë bërë të qartë futbollistit se nuk e shohin pjesë të planeve të tyre dhe gjatë verës ai do të gjejë një ekip tjetër për të vazhduar karrierën, në huazim apo mundësisht përfundimisht larg bluve.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL