Fri, Jun 13, 2025

Arkitektët dhe qyteti, koha për një qasje të re

  • PublishedJune 12, 2025

Arkitektët dhe qyteti, koha për një qasje të re

NGA PROF. DR. ZYDI TEQJA 

Sot arkitektura ka marrë përsipër shumë më tepër se thjesht ndërtime dhe struktura. Kjo u shfaq edhe pak ditë më parë në Tiranë me rastin e festivalit “Bukë dhe zemër”. Ky festival u realizua me praninë dhe angazhimin e mbi 150 arkitektëve nga e gjithë bota. Kjo pjesëmarrje masive e ktheu festivalin në një platformë të rëndësishme për dialogun arkitekturor ndërkombëtar. Për Tiranën, kjo pjesëmarrje ishte një mundësi e shkëlqyer për të shfaqur vizionin e saj urban dhe për të nxitur një dialog të hapur mbi të ardhmen e qyteteve. Por, në diskutimet e zhvilluara mund të konstatohet një farë homogjeniteti i profileve profesionale të diskutantëve si dhe i temave të trajtuara.

PAK HISTORI

Arkitektët kanë qenë historikisht të lidhur ngushtë me qendrat e pushtetit. Kjo mund të shikohet që nga piramidat e Egjiptit, në pallatet mbretërore kudo në Europë, në katedralet madhështore, e deri te qendrat moderne të qeverisjes. Shpesh ata kanë shërbyer si instrumente për realizimin e vizionit dhe ambicieve të sundimtarëve dhe të elitave duke ju shërbyer ideologjive dominuese. Si rezultat, na kanë lënë dëshmi të tilla si planifikimi i qyteteve romake me një gjeometri strikte që pasqyronte rendin perandorak, bulevardet e gjera të Parisit të Haussmann-it, apo edhe bulevardin kryesor të Tiranës tonë. Kjo afërsi me pushtetin u ka dhënë arkitektëve një rol dominant dhe qendror në formësimin e mjedisit të ndërtuar, por njëkohësisht ngre pyetje të rëndësishme mbi përgjegjësinë e tyre për pasojat që kanë krijuar në qytetet e sotme. Në fillim të shekullit të 20-të arkitektët modernistë, të sugjestionuar nga arritjet inxhinierike të kohës, treguan vëmendje të veçantë ndaj problemeve të zhvillimeve urbane. Le Corbusier, një nga pionierët e arkitekturës moderniste, në librin e tij “Drejt një arkitekture” (1924) e konsideron shtëpinë “një makinë banimi” dhe sipas tij “nuk ishte e nevojshme që banesa të lidhej me vendin”.

Të bashkuar në Kongresin Ndërkombëtar të Arkitekturës Moderne (CIAM) ata përpunuan modelin e qytetit të shekullit të 20-të, i cili do të ishte i organizuar në zona funksionale. Procesi i përshpejtuar i ndërtimit të banesave në periudhën e pasluftës e inkurajoi miratimin e zgjidhjeve të thjeshta. Ndërkohë që nuk mund të mohohen arritjet, duhet thënë që të gjitha shqetësimet që konstatohen sot në qytetet moderne, si trafiku, ndotja, ishujt e nxehtësisë etj. janë pasojë e viziont semplicist dhe utopik të sintetizuar në kartën e Athinës (1933) dhe që udhëhoqi projektimin e qyteteve të shekullit të 20-të. Koncepti modernist i qytetit si një mekanizëm për punë, kohë të lirë dhe transport, kishte kritikët e tij që në fillim por sidomos në vitet 1960-të, nga njëra anë evidentimi i problematikave në qytetet e rindërtuara dhe nga ana tjetër thellimi i studimeve, i shtuan argumentet se qyteti është produkt kompleks i mjedisit konkret, i jetës shoqërore, i kulturës dhe i politikës. Së pari Kevin Lynch (1960) me “The Image of the City” vendosi themelet për kuptimin e perceptimit human të qytetit dhe ndikoi në qasjet e projektimit me pjesëmarrje. Më tej Christopher Alexander (1965) “The City is Not a Tree” dhe Ian McHarg (1967) me “Design with Nature” shënojnë pika kthese që e sfidojnë paradigmën tradicionale të planifikimit urban.

Këto vepra, secila në mënyrën e saj, na ftojnë që ta rimendojmë marrëdhënien midis njeriut, mjedisit të ndërtuar dhe natyrës, duke hapur rrugën drejt një modeli më të qëndrueshëm dhe human për qytetin e së ardhmes. Në fund të shekullit të 20-të, Tom Turner me “City as Landscape” (1996) i zgjeron më tej këto ide, duke argumentuar se qyteti duhet të shihet dhe të projektohet si një peizazh. Turner thekson se koncepti i peizazhit shtrihet përtej zonave të gjelbra dhe parqeve; ai përfshin të gjithë hapësirën urbane, nga rrugët dhe sheshet, deri te ndërtesat dhe infrastruktura. Ai argumenton se duke e parë qytetin si peizazh, ne mund të arrijmë një integrim më të mirë të funksioneve urbane me dimensionet natyrore dhe estetike. Kjo përfshin planifikimin e sistemeve blu dhe të gjelbra, dizajnin e hapësirave publike që nxisin ndërveprimin social dhe krijimin e një identiteti unik për çdo qytet. Pse vihet në dyshim roli mbizotërues i arkitektëve në përcaktimin e të ardhmes së qyteteve? Zakonisht, arkitektët janë formuar me një kulturë statike ose që ndryshon ngadalë, pa aftësi për të projektuar për ritme të përshpejtuara të ndryshimit dhe për dinamika të shpërndarjes.

Një ndërtesë është një entitet i përcaktuar, me kufij të qartë, që i shërben një funksioni specifik ose një grupi funksionesh. Nga ana tjetër, qyteti është një organizëm i gjallë, në evoluim të vazhdueshëm. Ai përbëhet jo vetëm nga ndërtesat, por nga rrjete të ndërlikuara rrugësh, sisteme transporti publik, hapësira të gjelbra, infrastrukturë nëntokësore, dhe më e rëndësishmja, nga miliona njerëz me nevoja, dëshira dhe ndërveprime të ndryshme. Qyteti duhet të funksionojë si një ekosistem, ku çdo komponent ndikon dhe ndikohet nga të tjerët. Projektimi i qytetit kërkon një vizion makro. Ai kërkon që të parashikohen të gjitha aspektet e jetës së përditshme, rritja e popullsisë, nevojat për shërbime publike, zhvillimin ekonomik, menaxhimi i mbetjeve, shpërndarja e energjisë dhe e ujit, dhe shumë aspekte të tjera që shkojnë përtej dizajnit të një fasade apo planimetrisë së një objekti. Kjo kërkon ekspertizë nga fusha të ndryshme: urbanistë, arkitektë peizazhi, ekonomistë, sociologë, inxhinierë transporti, specialistë të mjedisit dhe qytetarë.

Ajo që kërkohet është nevoja për një qasje multidisiplinore. Plani i qytetit duhet të jetë produkt i një bashkëpunimi të tillë ku secili profesion sjell perspektivën dhe ekspertizën e tij unike. Në këtë kuptim, planifikimi I peizazhit i paraprin ndërtimit të strukturave të forta, duke formësuar kushtet themelore për jetën njerëzore. Në epokën moderne, dominimi i “arkitekturës së betonit dhe çelikut” ka eklipsuar shpesh këtë marrëdhënie thelbësore. Qytetet janë ndërtuar duke injoruar proceset natyrore, duke shtruar me asfalt dhe beton sipërfaqe të mëdha, duke kanalizuar lumenj dhe duke shpërfillur biodiversitetin. Kjo qasje, e cila shpesh e ndan ndërtesën nga mjedisi rrethues, ka çuar në probleme të rënda mjedisore dhe sociale: nga trafiku, përmbytjet urbane dhe ishujt e nxehtë, deri te mungesa e hapësirave të gjelbra dhe cilësia e ulët e jetës në qytete. Është koha për një paradigmë të re: roli thelbësor i arkitektëve të peizazhit.

Në epokën tonë të urbanizimit të shpejtë, kur qytetet po bëhen qendra të gravitetit demografik dhe ekonomik, shpesh fokusi bie mbi arkitekturën ikonike dhe në zhvillimet e reja të ndërtesave imponuese. Por një vëzhgim më i thellë dhe më strategjik zbulon se suksesi i qyteteve në të ardhmen do të varet më shumë nga hapësira midis ndërtesave sesa nga vetë ndërtesat. Kjo paradigmë e zhvendos fokusin nga objektet individuale drejt marrëdhënieve, ndërveprimeve dhe cilësisë së mjedisit publik, duke e shndërruar atë në thelbin e vitalitetit urban. Në një botë që po përballet me ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe nevojën për qytete më rezistente, roli i arkitekturës së peizazhit është më kritik se kurrë. Ajo garanton infrastrukturën e gjelbër-një rrjet i ndërlidhur i elementeve natyrorë dhe gjysmë-natyrorë, që ofron shërbime jetike për qytetet: menaxhimin e ujit, filtrimin e ajrit, regjimin termik të mjedisit, habitatet për kafshët e egra dhe hapësirat për rekreacion dhe mirëqenie mendore.

Këto nuk janë aspekte të dorës së dytë të sistemit urban; ato janë sistemet jetike, trungu mbi të cilin duhet të mbështetet çdo ndërtim. Paradigma e re e planifikimit dhe projektimit urban duhet ta njohë këtë të vërtetë themelore dhe arkitektët e peizazhit duhet të jenë pjesë kryesore e çdo ekipi projektimi, duke udhëhequr vizionin e përgjithshëm të asaj se si duhet të ndërtojmë në harmoni me natyrën.

Shqipëria sapo ka nisur të diplomojë arkitektë peizazhi duke qenë në pararojë të vendeve të rajonit. Sigurisht që përgatitja e një gjenerate profesionistësh të aftë në këtë fushë përbën një sfidë jo të lehtë. Anëtarësimi në Këshillin Europian të Shkollave të Arkitekturës së Peizazhit, pjesëmarrja në aktivitetet e Federatës Europiane të Arkitektëve të Peizazhit dhe organizimi në Tiranë, në fund të Qershorit i një Forumi ndërkombëtar për arkitekturën e peizazhit janë vetëm disa nga arritjet që mund të na bëjnë optimistë por që padyshim edhe tregojnë se duhet akoma punë dhe përpjekje për të arritur ndryshimin e madh cilësor që kërkohet.