Fri, Jun 13, 2025

“Një histori me gjak që nuk fshihet…”/ Vjosa Osmani për 26-vjetorin e NATO-s: Luftëtarët kthyen tmerrin në guxim!

  • PublishedJune 12, 2025

“Një histori me gjak që nuk fshihet…”/ Vjosa Osmani për 26-vjetorin e NATO-s: Luftëtarët kthyen tmerrin në guxim!

 

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, duke theksuar rolin thelbësor të Ushtrisë Çlirimtare dhe forcave aleate në kthimin e dhimbjes në shpresë dhe errësirës në dritë.

“Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, shkruan Osmani në një mesazh të shpërndarë në Facebook.

Presidentja nënvizon se përpjekjet e armiqve për të ndryshuar historinë janë të kota, pasi “një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps”.

“Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!”, përfundon ajo.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.

Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.

Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!.