Fri, Jun 13, 2025

Rrëzimi i avionit me 244 persona në Indi, ekspertët dyshojnë si shkak përplasjen me një tufë zogjsh

  • PublishedJune 12, 2025

Rrëzimi i avionit me 244 persona në Indi, ekspertët dyshojnë si shkak përplasjen me një tufë zogjsh

Një avion i kompanisë Air India është rrëzuar të enjten pasdite pranë aeroportit të Ahmedabad, vetëm pak minuta pas ngritjes në fluturim me destinacion Londrën. Fluturimi AI171, që ishte nisur drejt aeroportit Gatwick, pësoi aksident fatal duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.

Në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë 230 pasagjerë, 10 anëtarë ekuipazhi dhe 2 pilotë. Avioni Boeing 787-8 Dreamliner u rrëzua mbi një konvikt mjekësh pranë aeroportit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe viktima të shumta, edhe pse bilanci i saktë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Raportimet paraprake flasin për shumë të vdekur.

Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencës arritën menjëherë në vendngjarje dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim. Nuk janë raportuar probleme atmosferike në kohën e ngritjes së avionit, çka i ka shtyrë ekspertët të dyshojnë për një përplasje të shumëfishtë me shpendë si shkak të mundshëm të rrëzimit.

Eksperti i fluturimeve, Marco Chan, konfirmoi se moti ishte i mirë dhe nuk kishte faktorë klimatikë që do të ndikonin në incident. Ndërkohë, ish-piloti Saurabh Bhatnagar theksoi se një përplasje me shpendë mund të ketë dëmtuar të dy motorët, duke shkaktuar humbje të fuqisë së avionit menjëherë pas ngritjes. Piloti i avionit kishte dhënë sinjal emergjence “Mayday” para rrëzimit.

Analisti i aviacionit Sanjay Lazar shtoi se modeli Dreamliner, vetëm 11 vjeç, nuk kishte histori problemesh serioze teknike, duke e bërë përplasjen me shpendë skenarin më të mundshëm.

Ky është rasti i parë i rrëzimit të një Boeing 787 Dreamliner në 14 vite operim. Avioni ka qenë ndër më të besueshmit në industrinë ajrore dhe rrëzimi i tij përbën një goditje të rëndë për Boeing, që tashmë përballet me sfida të tjera për shkak të incidenteve me modelin 737 MAX.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të plota të tragjedisë janë në zhvillim.