“Shpresoj të jetojnë!”- U hodh në lum dhe shpëtoi në 8 metra thellësi dy të mitur duke u mbytur, shqiptari në Greqi: Bëra atë që do bënte çdo prind!
Një akt guximi dhe humanizmi ka prekur opinionin publik në Greqi. Një shqiptar nga Berati, Levian Goga, është kthyer në hero pasi shpëtoi dy të mitur nga mbytja në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në mesditë, kur dy fëmijë rrezikuan të mbyteshin në ujërat e thella të lumit. Sipas dëshmitarëve, njëri prej tyre ishte hedhur për të shpëtuar shokun, por përpjekja e tij rrezikoi jetën e të dyve.
Në ato momente, një djalë me motor nxitoi drejt kafenesë ku ndodhej Goga dhe kërkoi ndihmë. “Po mbyten dy fëmijë në lumë!” – ishte thirrja që nuk la vend për asnjë çast hezitimi. Ai u nis me makinë drejt vendit të ngjarjes dhe u hodh në një thellësi prej 8 metrash për të shpëtuar fëmijët, pa menduar për rrezikun që i kanosej vetë.
Në një rrëfim emocional për mediat greke, Goga ka treguar momentet e vështira kur nxori njërin nga fëmijët pa ndjenja dhe më pas u hodh sërish për të gjetur tjetrin, i cili ndodhej në fund të lumit me fytyrën poshtë dhe gjak në fytyrë.
“Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje,” – është shprehur ndër të tjera Goga me lot në sy, ndërsa priste radhën në spital, i lënduar në këmbë nga përpjekja.
Levian Gogën, të cilin e njohin si “Leo”, banorët e zonës e vlerësojnë për zemrën dhe guximin e tij. Emigranti shqiptar jeton prej 24 vitesh në Greqi, bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tyre.