Fri, Jun 13, 2025

“Standard i dyfishtë, drejtësi e njëanshme – ILD nën dritën e dyshimit publik!”

  • PublishedJune 12, 2025

Nga analiza e njoftimeve për shtyp të faqes zyrtare të ILD vihet re një sjellje e padrejtë, selektive dhe në kundërshtim me parimet bazë të ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit në procedimet disiplinore  të  nisura nga kjo zyrë.

Në datë 04 qershor 2025,  KLGJ rrëzoi propozimin e ILD për masë disiplinore “Vërejtje publike” ndaj gjyqtares Antonela Prendi, për vonesa në zbardhjen e tre vendimeve gjyqësore,   rast të cilën ILD e ka klasifikuar si shkelje të lehtë disiplinore” duke kërkuar masën e “vërejtjes publike”. Por,  nga KLGJ në mënyrë domethënëse është rrëzuar  kërkesa e ILD duke justifikuar  vonesën e zbardhjes së vendimeve për shkak të ngarkesës së lartë çështjeve që ajo ka patur në gjykim.

Qëndrimi i ILD  duket edhe më i ashpër në rastin e prokurorit Kledian Llaho, ish-drejtuesi  i Prokurorisë Sarandë,  të cilin e ka proceduar për vonesa në hetime vetëm për një çështje të vitit 2018, kohë kur ai ushtronte detyrën në Prokurorinë e Vlorës,  duke e trajtuar rastin si  “shkelje të rëndë disiplinore , shoqëruar me kërkesë për ulje page në masën 40% të pagës për një vit.

Ky është shembulli më flagrant i përdorimit të mekanizmave disiplinorë si instrument ndëshkimi dhe jo si mjet për garantimin e integritetit në drejtësi.

Kontrasti bëhet edhe më i thellë nëse analizohet qëndrimi i KLP,  i cili në vendimin e datës 30 janar 2025,  ka caktuar ndaj prokurorit Kledian Llaho masën disiplinore të “vërejtjes publike”. KLGJ  nga ana tjetër në vendimin e datës 04 qershor 2025, ka rrëzuar kërkesën e ILD  dhe nuk caktoi asnjë masë disiplinore ndaj gjyqtares Prendi, duke dëshmuar qartë një qëndrim në mbrojtje të figurës së magjistratëve për vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore për shkak të situatës së rënduar në të cilën ndodhet të gjithë magjistratët.

Ky standard i dyfishtë, i zbatuar në mënyrë selektive dhe në kundërshtim të hapur me logjikën ligjore, ngre një pyetje të madhe: A është ILD vërtet një institucion që mbron integritetin e drejtësisë, apo një strukturë që përdor kompetencat për qëllime të tjera, të fshehura pas një fasade  në emër të ligjit?

Në një sistem drejtësie që aspiron për transparencë, paanësi dhe profesionalizëm, sjellja e ILD-së është jo vetëm e pajustifikuar, por thellësisht dëmtuese për besimin publik ndaj institucioneve të drejtësisë. Përdorimi i pabarabartë i standardeve disiplinore për magjistratë me profil të lartë dhe kontribut të spikatur në sistemin e drejtësisë, përbën jo vetëm një devijim të rëndë nga fryma e reformës në drejtësi, por një sinjal alarmi për gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve në vend.

A është drejtësia e ILD-së në të vërtetë drejtësi? Apo një version burokratik i shtypjes selektive?

Këto pyetje nuk mund të mbeten pa përgjigje. ILD duhet të japë llogari publike dhe të sqarojë:

Pse një gjyqtar dhe një prokuror  kërkohet nga ILD të ndëshkohen për raste sporadike kur  të gjithë magjistratët ndodhen në të njëjtat nivele ngarkese ?

Duket shumë e paqartë se si i përzgjedh Inspektori i Lartë i Drejtësisë magjistratët që procedon dhe kërkon masë disiplinore. Kush vendos se cilët magjistratë “meritojnë” ndëshkimin dhe cilët jo ?

Pyetjet plot dyshime ngrihen edhe për dy Këshillat të cilat mbajnë qëndrime të ndryshme për magjistratët karierën e të cilëve ata duhet të mbrojnë.

KLGJ rrëzon kërkesën e ILD  për masë disiplinore , për vonesa në zbardhjen e tre vendimeve gjyqësore ndërsa KLP cakton masë disiplinore vërejtje publike për prokurorin për vonesa në hetimin e një cështje të vetme.

Publiku ka të drejtë të dijë dhe drejtësia ka detyrimin të jetë e drejtë.