Tragjedia ajrore në Indi, çfarë dimë deri tani për rrëzimin e avionit me mbi 240 pasagjerë! Reagimet e kompanisë ajrore dhe të autoriteteve zyrtare
Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë ajrore “Air India” që ishte nisur nga India për në Londër u rrëzua menjëherë pas ngritjes në Ahmedabad këtë të enjte, duke lënë të paktën 204 persona të vdekur, raporton BBC.
Në avion ndodheshin në total 242 pasagjerë dhe ekuipazh.
Shefi i policisë së Ahmedabadit i tha BBC-së se 204 trupa janë gjetur të pajetë në vendngjarje, ndërsa 41 persona po marrin ndihmë mjekësore pasi kanë pësuar lëndime të rënda.
Gjithashtu shefi i policisë u tha agjencive të lajmeve më herët se nuk dukej se kishte persona të mbijetuar nga rrëzimi dhe se disa banorë vendas kanë humbur jetën gjithashtu, duke pasur parasysh vendin ku ra avioni.
Por çfarë dimë deri më tani për tragjedinë ajrore!
Kur dhe ku u rrëzua avioni?
Fluturimi AI171 i Air India u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel i Ahmedabadit në orën 13:39 sipas kohës lokale (08:09 GMT), tha Air India.
Ishte planifikuar të ulej në aeroportin Gatëick të Londrës në orën 18:25. Aeroplani u rrëzua gjatë nisjes nga Ahmedabadi.
Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightRadar24, sinjali nga avioni humbi “më pak se një minutë pas ngritjes”.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimit përfundojnë me aeroplanin në një lartësi prej 625 këmbësh (190 metrash).
Aeroplani i dha kontrollit të trafikut ajror një sinjal paralajmërues, tha rregullatori i aviacionit të Indisë. Pas kësaj, avioni nuk dha asnjë përgjigje.
Avioni u rrëzua në një zonë banimi të quajtur Meghani Nagar. Policia i tha agjencisë së lajmeve ANI se ishte rrëzuar në një godinë ku qëndronin mjekë.
Një grua në vendngjarje i tha ANI-t se djali i saj u hodh nga kati i dytë i godinës, kur avioni u rrëzua atje.
Pamjet e verifikuara të bëra në Ahmedabadin qendror treguan re të mëdha tymi të zi në qiell.
Korrespodenti i BBC-së tha se njerëzit pranë vendit të ngjarjes po vraponin për të “shpëtuar sa më shumë jetë të ishte e mundur”.
Ai tha se shërbimet e emergjencës ishin të përfshira në një operacion shpëtimi dhe po përpiqeshin të shuanin një zjarr, dhe përshkroi se kishte parë trupa që po nxirreshin nga zona.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme indiane, Randhir Jaisëal, tha në një konferencë për shtyp se “kemi humbur shumë njerëz”.
Shefi i policisë së Ahmedabadit, GS Malik, i tha BBC-së se 204 persona kishin vdekur dhe 41 të tjerë ishin plagosur.
Nuk dihet nëse ata 204 persona ishin të gjithë në aeroplan apo në tokë kur avioni u rrëzua.
Ai më parë tha se duket se nuk ka “të mbijetuar” nga rrëzimi dhe se “disa vendas” gjithashtu mund të kenë vdekur duke pasur parasysh vendin ku ra avioni.
Kush ishte në bord?
Në bord kishte 242 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, sipas Air India.
Midis pasagjerëve ishin 53 shtetas britanikë, 169 shtetas indianë, një shtetas kanadez dhe shtatë shtetas portugezë.
Aeroplani – një Boeing 787-8 Dreamliner – kishte gjithsej 256 vende në bord.
Një “qendër emergjence është aktivizuar” dhe një ekip mbështetës është ngritur për familjet që kërkojnë informacion, tha kryetari i Air India, Natarajan Chandrasekaran.
Aeroporti i Gatwick tha se po ngrihet një qendër pritjeje për të afërmit e pasagjerëve, ku do të ofrohej informacion, dhe se po bashkëpunonte ngushtë me Air India.
Përmes një njoftimi në X autoritetet kanë shkruar: “Shtetasit britanikë që kërkojnë ndihmë konsullore ose kanë shqetësime në lidhje me miqtë ose familjen duhet të telefonojnë në numrin 0207 008 5000.”
Çfarë dimë për aeroplanin?
Avioni i përfshirë në aksident ishte një Boeing 787-8 Dreamliner.
Modeli u lançua 14 vjet më parë. Vetëm gjashtë javë më parë, Boeing vlerësoi faktin se kishte arritur momentin e transportimit të një miliard pasagjerëve.
Air India operon një flotë prej më shumë se 190 aeroplanësh, përfshirë 58 avionë Boeing, sipas faqes së saj të internetit.
Në një deklaratë, Boeing tha: “Jemi në kontakt me Air India në lidhje me Fluturimin 171 dhe jemi të gatshëm t’i mbështesim ata.
Mendimet tona janë me pasagjerët, ekuipazhin, ndihmësit e parë dhe të gjithë të prekurit.”
Çfarë kanë thënë linja ajrore dhe autoritetet?
Air India konfirmoi në X se fluturimi ishte “i përfshirë në një aksident sot pas ngritjes”.
Tha se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet që hetojnë aksidentin dhe do të ofronte përditësime të mëtejshme, si dhe ka ngritur një linjë telefonike të dedikuar për pasagjerët për të ofruar informacione të mëtejshme: 1800 5691 444
Kryetari i linjës ajrore, Natarajan Chandrasekaran, tha në një deklaratë: “Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar ekipet e reagimit ndaj emergjencave në vendngjarje dhe për të ofruar të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e nevojshëm për ata që janë prekur.”
Një zëdhënës i Aeroportit Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel tha se të gjitha fluturimet janë pezulluar deri në njoftim të dytë.
Si kanë reaguar India dhe Mbretëria e Bashkuar?
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se ishte “i tronditur dhe i trishtuar” nga rrëzimi.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, tha se skenat që po ndodhnin në Ahmedabad ishin “shkatërruese”.
“Po mbahem i informuar për zhvillimin e situatës dhe mendimet e mia janë me pasagjerët dhe familjet e tyre në këtë kohë thellësisht shqetësuese”, tha ai.
Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar po punon me autoritetet lokale në Indi për të “përcaktuar urgjentisht faktet” dhe për të ofruar mbështetje.
Mbreti tha se ai dhe Mbretëresha Camilla janë “thellësisht të tronditur nga ngjarjet e tmerrshme në Ahmedabad këtë mëngjes” dhe u shprehu ngushëllimet e tij të prekurve.