Tudor rinovon me Juventusin, “Zonja e Vjetër” all-in në merkato
Trajneri Igor Tudor është konfirmuar për sezonin 2025/2026, dhe do të rinovojë kontratën deri në vitin 2027, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër. Tashmë është zyrtare me “Zonjën e Vjetër” që i ka besuar stolin kroatit edhe për sezonin në vijim.
Ndërkohë Juventusi po përgatitet për të udhëtuar drejt SHBA për Kupën e Botës për Klube, me presidentin John Elkann që ka përshëndetur ekipin përpara nisjes. Klubi po ndërton gjithashtu themelet për një projekt të ri afatgjatë.
Në merkato, vëmendja është përqendruar te sulmi. E ardhmja e Dusan Vlahovic është ende e paqartë dhe ai mund të largohet për rreth 30 milionë euro. Nëse ndodh kjo, Juventusi synon të investojë për Viktor Gyökeres, sulmuesin suedez të Sporting Lisbonës, për të cilin mund të ofrojë rreth 70 milionë euro. Manchester United është gjithashtu në garë, por ende nuk ka mbyllur marrëveshjen.
Në të njëjtën kohë, klubi po punon edhe për të marrë Jonathan David (nga Lille) me parametër zero – është arritur një marrëveshje paraprake me 6 milionë euro në vit + 15 milionë bonus nënshkrimi. Gjithashtu, po negociohet me PSG për të mbajtur në Torino Randal Kolo Muani.
Ndërkohë, është bërë zyrtare pjesëmarrja e Francisco Conceição dhe Kolo Muani në Kupën e Botës për Klube me fanellën e Juventusit. Debutimi i Juventusit do të jetë më 19 qershor kundër Al-Ain, në orën 03:00 të mëngjesit.