Sat, Jun 14, 2025

Asllani “me valixhe në duar”, Fiorentina në garë për mesfushorin kuqezi

  • PublishedJune 13, 2025

Asllani “me valixhe në duar”, Fiorentina në garë për mesfushorin kuqezi

Kristjan Asllani vijon të jetë emri më i lakuar nga legjionarët tanë, lidhur me faktin se cili pritet të jetë destinacioni i tij për sezonin e ardhshëm. Tek Inter pritet të jetë e vështirë të qëndrojë, pavarësisht ardhjes së Chivu në stol, ndërkohë në Itali ditën e sotme bëjnë me dije se një tjetër skuadër është future në garë për të marrë shërbimet e mesfushorit të kombëtares tone. Bëhet fjalë për Fiorentinën.

Prioriteti kryesor i Fiorentinës në merkato është mesfusha, pasi nuk janë aktivizuar opsionet e blerjes për Yacine Adli, Michael Folorunsho dhe shumë me gjasë edhe Danilo Cataldi. Klubi po shkon drejt rikthimit të Stefano Piolit si trajner, i cili pritet të lirohet nga kontrata me Al-Nassr, por duhet të presë fillimin e korrikut për arsye fiskale para se të largohet nga Arabia Saudite.

Aktualisht, Fiorentina ka një skuadër të kufizuar numerikisht në mesfushë dhe synon të shtojë cilësi dhe lojtarë pranë Fagiolit dhe Ndour. Ideja kryesore, sipas La Gazzetta dello Sport, është Kristjan Asllani. Shqiptari mund të largohet nga Interi gjatë verës për të gjetur më shumë hapësira. Destinacioni në Firence do të përputhej me kërkesën e mundshme të trajnerit Pioli, që dëshiron futbollistë me personalitet në mesfushë. Vlera e transfertës, që ende nuk është diskutuar zyrtarisht, mund të jetë rreth 14 milionë euro, shifra që Interi shpenzoi për ta marrë nga Empoli në 2022.

Lojtari tjetër në listën e drejtuesve është Bennacer, i cili pëlqehet nga Stefano Pioli, me të cilin ka punuar në Milan. Algjeriani ishte huazuar te Marseille, që nuk duket i gatshëm ta blejë për 12 milionë euro nga kuqezinjtë. Ndërkohë në sulm dëshira e klubit “vjollcë” mbetet Edin Dzeko, që pasi ka mbyllur aventurën tek Fenerbahçe, do të mirëpriste një rikthim për here të 3 në Serie A, pas aventurave tek Roma dhe Inter në të kaluarën.


AlbaniaWeb.net