“Kush ka tokë, ai e do atdheun”- Letra e Abedin Pashë Dinos për Sulltanin në 1879! Roli i ministrit, arkitekti i Lidhjes së Prizrenit
NGA HYQMET ZANE/ Pak herë është përdorur emri dhe historia e aktiviteti atdhetar i një personaliteti të Çamërisë të gjysmës së dytë të shekullit 19-të si Abedin Pashë Dino, ish-ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane në vitin 1878, kur zhvilloi aktivitetin Lidhja e Prizrenit. Biografia e një kombi është bashkësia e biografive të çdo familjeje dhe personaliteteve të tij. Biografinë e një kombi njihet përmes personaliteteve historike që ka. Ndaj edhe është i njohur thënia e një latini të lashtë që ka thënë “O kombe, ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja„.
Popullata dhe historia e Çamërisë është e trashëguar nga ngjarje dhe personalitetet e saj që nga thellësitë e shekujve. Në këtë kuadër njihet personaliteti i Abedin Pashë Dino, njeriu enciklopedist dhe i pa nderuar, njeriu politikan dhe i denigruar, njeriu atdhetar dhe i mohuar për kontributet e tij. Çdo përkujtim i këtij personaliteti të kësaj perandorie të madhe, i thotë ndal gjenocidit shkatërrues që ka ndodhur në historiografi mbi Çamërinë, që historianë të ideologjizuar kanë shtrembëruar historinë për ta çuar në inekzistencë. Është një baltë e hedhur në 50 vjetët e diktaturës që iu bë historiografisë së trashëgimisë etnike shqiptare që është e shkruar me gjak e sakrifica për të mos lejuar cungimin e tërësinë tokësore të kombit shqiptar.
Aktualizimi i figurës së Abedin Pashë Dinos është domosdoshmëri përballë lidhjes greko-serb që vazhdon investimin antishqiptar që ka mbështetjen e Europës që na cungoi trojet. Kjo nuk do të thotë që sot nxënësit e shkollave të mësojnë të cunguar historinë dhe gjeografinë e kombit shqiptar. Kështu u veprua me Abedin Dinon, birin e denjë të Shqipërisë, mikun dhe bashkëluftëtarin e Abdyl bej Frashërit e Mehmet bej Vrionit, ndihmësin dhe shpirtin e plejadës së Pashëve të Çamërisë, derës së njohur të Dinosëve. Ndaj dhe poeti Adem Istrefit në poezinë “Çamëria e panë sitë” do të shkruante vargjet :
“ O zot,ç’mënxyrë e ç’barbari qe kjo,
Krejt si në Trojë grekët grekçe na therën!
Iku kush iku, të tjerët zjarri i përvëloi.
Rri, o zot, mos fol,
në bri të kaut s’u fshihka dhembja
dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia,
mizori si kjo kujt tjetër i panë sitë,
atje çam i ndyrë, këtej çam i djegur,
vallë veten të bindnim se hak kishim mizorinë?!„
A nuk u veprua kështu edhe në aktivitetin patriotik kombëtar të Abedin Pashë Dinos?
ÇFARË SHKRUAJNË HISTORIANËT E DIKTATURËS
Si ta kuptoj atë që është shkruar në librin “Abdyl Frashëri”, të Kristo Frashërit që ka shmangur veprimtarinë e diplomatit Abdyl Frashëri, nuk vihet në dukje dhe as përmendet fare emri i Abedin Dinos dhe as një emër vendi të Çamërisë ku Abdyl Frashëri dhe Abedin Dinos zhvilluan një veprimtari shumë efektive, siç ka shkruar me fakte në librin e tij “Abedin Dino” në vitin 1998 Ahmet Mehmeti, në dobi të çështjes së lëvizjes shqiptare të Prizrenit në luftë kundër synimeve helenizuese të shtetit grek ndaj Çamërisë. As edhe një foto e Abedinit nuk gjendet, tamam sikur të ishte një heretik i anatemuar
Nga ana tjetër, hulumtues e historianë të Partisë së Punës, e kanë shmangur figurën e Abedin Dino dhe, përkundër tij, kanë renditur figurat që ishin aq të njohura si bashkëpunëtorë të Dinos, si: Vaso Pashën, Zija Prishtinën, Jani Vreton, Semsadi Seit Toptani, etj..
Qartësinë e veprimtarisë së Abedinit, vendin dhe rolin e tij në lëvizjen shqiptare të Prizrenit, na e japin vetë të quajturit armiq të tij ; por edhe të Shqipërisë, turqit tek libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, e v. 1889, ku. figurën e tij, jo vetëm që e japin të cunguar, por edhe e denigrojnë me argumentin se Abedin Pashë Dino ishte për autonominë e Shqipërisë nën Turqi, duke ndarë faktin real se ishte aq i punës edhe luftës për të hedhur bazat e Pavarësisë së Shqipërisë si një ndërveprim i përpjekjeve të atdhetarëve dhe luftëtarëve të Lëvizjes Kombëtare, ku Abedini zë një vend parësor.
Kështu, me porosi të ideologjisë komuniste, ka vepruar edhe Drita Mehmeti në shkrimin e saj “Veprimtaria diplomatike e delegacionit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në pranverën e vitit 1879, fq. 240 të botuar në librin “Konferenca kombëtare e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878–1881” botim i Akademisë së Shkencave më 1978.
Ndërsa në hulumtimin e tij historiani Ligor K. Mile si bir besnik i Partisë aktivitetin dhe personalitetin e Abedin Dinos, duke dashur ta denigrojë, e bën të zbehtë, qesharak dhe i pavendosur, kur në gazetën franceze të janarit 1879 të L’Égalité Franceze në Athinë, ku shkruhet : “Abedin beu është i pabesë, intrigant, ambicioz, i dalluar pas kombësisë dhe pas rendit të ri.” Edhe në librin “Çështje të historisë agraro shqiptare”, autori nuk bën gjë tjetër veç na qartëson faktin se në të vërtetë Abedini ishte i dhënë pas kombësisë dhe pas rendit të ri dhe që asnjë dokument nuk është gjetur që të vërtetojë të kundërtën që autori Mile e do për sensin dhe thelbin për t’i bërë qefin shefave të tij partiakëfolës.
Në të njëjtin libër replikon edhe Kristo Frashëri në librin e Akademisë “Probleme te Pavarësia e Shqipërisë”, në referatin e tij me titull “Forcat shtytëse dhe pavarësia kombëtare”, (fq. 129 botim i vitit 1987) kur thotë : “Kështu, së bashku me të drejtë shkruan Enver Hoxha, bejlerët shqiptarë, kur panë se barka osman po mbytej, rrëmbyen flamurin e nacionalizmit. Thelbin e këtij nacionalizmi e ka shprehur mirë nga bejlerët shqiptarë më të fuqishëm të dhjetëvjeçarëve të fundit të sundimit osman Abedin Pashë Dino, i cili në një letër që i dërgonte Sulltanit më 1879 theksonte ndër të tjera, se të interesuar më tepër se kushdo, madje edhe se vetë Porta e Lartë, për të shpëtuar tokat shqiptare nga copëtimi, ishin pronarët tokësorë. Kush ka tokë, ai e do atdheun”.
Duke pretenduar se e hodhi poshtë këtë bejler të borgjezisë (!!), Kristo Frashëri portretizon atdhetarin e flaktë, politikanin e mençur dhe nuk i bën asnjë fjalë pozitës së merituar të Abedin Dinos frymëzoheshin nga toka shqiptare dhe udhëhiqeshin me rol në tërë Çamërinë.
Abedin Dino, siç është hulumtuar nga bashkëkohësit, futet tek rruga e të “moderuarit”, që lidhte karakterin shqiptar, ashtu si u cilësua edhe Ali bej Gucia, Hysë Pashë Vlora që paraprinin si personalitete. Këtë e paraqet edhe “Historia e Shqipërisë”, vëll. i Akademisë s.v. 1984.
Këtë mision e tij AbdyI Frashëri brenda një muaji nga Gjirokastra, Elbasani, Berati, Fieri e Vlora, Gjirokastra, Delvinë, Filat e deri në Prevezë nuk e kreu vetëm, siç na e jep historia e huaj, por në bashkëpunim me Abedin Dinen që, sipas dokumenteve autentike, vërtetohet se ishte bashkudhëtar dhe bashkëpunëtor më i afërt i Abdylit si dhe në luftën kundër aneksimit të pjesës jugore të Çamërisë nga qeveria greke.
Por nuk ka si të trajtohet drejt Lëvizja Shqiptare e Pavarësisë kur hiqet e shtrembërohet Frashëri që në vëllimin III të tekstit “Historia e Lëvizjes Akademike”, Kristo Frashëri denigron dhe thotë se “personalitet i njohur shqiptar, Abedin bej Dino, i cili në fillim kishte aderuar në Lidhjen e Prizrenit, por tani kishte kaluar nga ana e Portës së Lartë” (fq. 229). Kurse në fq. 251 ai nuk do që ta pranojë kurrë pohimin faktik se “për t’i shpëtuar (shqiptarët) sulmit armik në pragun e Konferencës së Berlinit, ministrit të jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dino, ish-anëtarin e Kryesisë së Lidhjes së Prizrenit”, por që politikisht kërkon të shpërfytyrojë figurën e viganit shqiptar, por nga braktisja e Lëvizjes që tërë qenien e tij në postin e ministrit të jashtëm e vuri në shërbim të çështjes shqiptare deri sa meritoi edhe helmim nga sulltani, siç na e japin vargjet e hershme :
“Abedin Pashai me halle
Se ç’i tundte shtatë krale
Për hudut e për vatane
E zemërove Sulltanë
Aj të ftoi në Divan
Në vend të hoqi mihanë
Surgjun në Konjë e Adanë
Atje të bëri xhezanë
Zeher të mbushi filxhanë
ARPICË – MARGËLLIÇ
Shkrimet anti Abedin Dino ishin tregues të politikës antikombëtare që diktatura nuk i kurseu ndaj figurave etnike shqiptare, tamam ashtu siç bënë, në fakt, edhe ndaj figurës së nderuar elbasanase Aqif Pasha Elbasanit që për hatër të internacionalizimit të përçudnuar, e më vonë, e përbaltën edhe brez pas brezi.
Historia e ballkanase ndaj Shqipërisë është shkenca e fatkeqësisë që fqinjët ballkanas i kanë sjellë popullit, të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të pafat, por edhe me të braktisurit e Europës. Dhuna, shpërnguljet, në dy shekuj kanë qenë barbare ndaj territoreve, interesave dhe shqiptarëve vetë, njëkohësisht u bënë edhe për figura historike që nuk përkrahën luhatjet, por të qenit dinjitoz, por u humbën, duke harruar me dashje edhe personalitete si Abedin Pashë Dino.
Përballë një realiteti të djeshëm në diktaturë, por edhe sot në tranzicionin demokratik, Europa dhe bota duhet ta dinë mirë gjithashtu se ekziston edhe çështja tragjike çame, historia e dhimbshme e saj. Është e vërtetë se për këto probleme na takon të shqetësohemi, të hamë rrënjën me dhimbje, si thotë një fjalë popullore ‘të rrahim vitet me radhë’, për arsyen që tashmë janë të njohura për çdokënd ; s’kemi bërë atë që duhet të bënim, ka ardhur koha të fitojmë se ç’të humbim e humbëm. Askush nuk do t’i falë më dobësimet ideologjike apo flirtet ekonomike në kurriz të këtyre çështjeve. Ata që duan të na nënvleftësojnë, dinë të jemi më të rregullt dhe t’i falënderojmë, por nënvleftësimi me raste, le të na shërbejë për të shëruar këto plagë absurde. Le të mos i lëmë të kthehen ato në gangrenë; të na atrofizojnë gjymtyrët e trupit, historinë, kujtesën kombëtare. Si mund të kuptohet një Europë e bashkuar dhe një Shqiptari i përçmuar?!
Le të jetë Abedin Posha, biri i Çamërisë, se Rilindja Kombëtare dhe luftëtarët e Prizrenit patën hollësi të tilla që nuk i merr dot njeriu përherë, sepse diktatori solli gjithfarë goditjesh. Kurdoherë mbi këto do të triumfojë personaliteti i shqiptarizmës dhe i kohërave të tilla si Abdyl Frashëri e Abedin Dino.
EPILOG
Në një prezantim me një grup hebrejsh që erdhën në maj 1999 në Elbasan në kohën e krizës kosovare, kryebashkiaku i kohës Engjëll Dakli u tha atyre se unë (Hyqmeti) isha djali i një ishtë internuari në kampet e shfarosjes në Gjermani dhe është me orgjinë nga Çamëria, territori i së cilës është nën administrimin e Greqisë. Miku hebre më pyeti : “Më thuaj çfarë personalitetesh nga lashtësia keni, që të them se çfarë kombi jeni”. Ia thash që nga Pirro i Epirit e deri tek Hoxha Hasan Tahsin, babai i Rilindjes Kombëtare e më tej Abedin Pashë Dinon, ishministri i Jashtëm u Perandorisë Osmane etj. dhe ai tundi kokën dhe aprovoi përgjigjen duke u gjendur ngushtë për të vërtetën që i thashë.
Pak fjalë për Abedin Pashë Dino (1843-1906).
Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, burrë shteti, poet, shkencëtar. Lindi në Prevezë. I ati Ahmet Dino, ishte një nga krerët e Çamërisë që udhëhoqi kryengritjen kundër Tanzimatit 1847. U vu në krye të 24.00 luftëtarëve shqiptarë që thyen bandat greke në luftën e Lëkursit (12- 13 shkurt 1878).
I pari shqiptar që u vlerësua me shiritin e madh francez të Legjionit të Nderit” dhe me “Palmat akademike” franceze.