Mon, Jun 16, 2025

Tensionet Izrael-Iran godasin udhëtimet ajrore, mijëra fluturime të pezulluara dhe devijuara

  • PublishedJune 13, 2025

Tensionet Izrael-Iran godasin udhëtimet ajrore, mijëra fluturime të pezulluara dhe devijuara

Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar kaos në trafikun ajror ndërkombëtar, me mijëra fluturime të pezulluara ose të devijuara të premten, pas sulmeve izraelite ndaj objektivave iraniane.

Sipas raportimeve, forcat ajrore izraelite kanë goditur objekte të dyshuara ushtarake dhe bërthamore në territorin iranian, në kuadër të një operacioni të zgjeruar ushtarak, me qëllim frenimin e Teheranit për ndërtimin e një arme bërthamore.

Si pasojë e përshkallëzimit, aeroporti ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv është mbyllur përkohësisht, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit janë vendosur në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur çdo kundërpërgjigjeje të mundshme nga Irani.

Të dhënat nga platforma FlightRadar24 tregojnë se hapësira ajrore mbi Iran, Irak dhe Jordani është pothuajse bosh, pasi shumica e fluturimeve po devijohen përmes Arabisë Saudite dhe Egjiptit.

Ndërkohë, sipas agjencisë Eurocontrol, mbi 1,800 fluturime nga dhe drejt Evropës janë ndikuar vetëm të premten, përfshirë rreth 650 anulime, duke krijuar vështirësi të mëdha për udhëtarët dhe kompanitë ajrore.

Autoritetet ndërkombëtare të aviacionit po monitorojnë nga afër situatën dhe paralajmërojnë se pasiguria në rajon mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim.