Sat, Jun 14, 2025

Sulmet masive nga Irani, ish-ambasadori izraelit në SHBA: Po dridhin ndërtesat në Izrael, mbërriti ajo që pritej

  • PublishedJune 14, 2025

Sulmet masive nga Irani, ish-ambasadori izraelit në SHBA: Po dridhin ndërtesat në Izrael, mbërriti ajo që pritej

Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë tronditur ndërtesat në Izrael, ka deklaruar ish-ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Michael Oren, i cili konfirmoi se ai dhe familja e tij janë strehuar në një “dhomë të sigurt”.

“Ndërtesa u drodh jo pak minuta më parë,” u shpreh Oren në një intervistë për gazetaren Brianna Keilar të CNN, të premten në mbrëmje.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Irani ka lëshuar “qindra raketa të ndryshme balistike” drejt Izraelit, duke e cilësuar këtë si “fillimin e përgjigjes shkatërruese” ndaj sulmeve ajrore izraelite të mëngjesit.

Oren tregoi se kishte marrë paralajmërime zyrtare në celularin e tij përpara se të ndodhnin sulmet, që përmbanin udhëzime të detajuara për mënyrën e reagimit dhe vendndodhjet e sigurta për strehim.

“Dhe ajo që pritej, mbërriti,” theksoi diplomati.

Ai vlerësoi efektivitetin e sistemit izraelit të mbrojtjes ajrore Kupola e Hekurt, duke theksuar se shumica e raketave janë neutralizuar përpara se të arrinin në destinacion.

“Nëse Irani ka qëlluar 100 raketa drejt nesh dhe vetëm pesë deri në shtatë prej tyre kanë arritur të na godasin, kjo është normale dhe dëshmi e fuqisë mbrojtëse të Izraelit,” tha Oren.