Duelet me rivalët e elitës, Egnatia vuan aksin Tiranë-Durrës
Egnatia ka ndërtuar vit pas viti një profil gjithnjë e më konkurrues në elitën e futbollit shqiptar dhe rezultatet në duelet direkte me rivalët janë një pasqyrë e qartë e rritjes. Statistikat tregojnë një ecuri të fortë, veçanërisht ndaj disa klubeve kryesore të Superiores, ku përqindja e fitoreve është më se domethënëse dhe një ogur i mirë edhe për sezonin e ri që po troket.
Nga shifrat që serviren nga “Panorama Sport” vihet re se Egnatia ka ndërtuar një ekip që imponon ritmin dhe kontrollon ndeshjet ndaj pjesës më të madhe të rivalëve. Në veçanti, përballjet me ekipe si Bylisi, Flamurtari, Vora apo edhe Dinamo dhe Vllaznia, tregojnë se rrogozhinasit janë bërë një fuqi e re në elitë. Sfida e radhës për ta mbetet përmirësimi i bilancit ndaj “gjigantëve” tradicionalë si Tirana, Partizani dhe Teuta, me të cilët duket se ka hasur më shumë probleme për të shkuar tek fitoret.
REZULTATET ME RIVALËT- Gazeta përpiqet të japë një tablo në përballjet që rrogozhinasit kanë me nëntë skuadrat e tjera të Superiores, ku në tërësi bilanci është pozitiv, me përjashtime të vogla. Ndaj Vorës, Egnatia ka luajtur vetëm një ndeshje, të cilën e ka fituar, duke mbajtur 100% sukses në këtë duel. E njëjta përqindje është ruajtur edhe ndaj Flamurtarit, me 2 ndeshje të luajtura dhe dy fitore, tregues i një superioriteti me ekipet e sapongjitura, edhe pse janë përballur shumë pak.
Përballë Bylisit, në 11 sfida, Egnatia ka fituar 8 herë, barazuar dy dhe humbur vetëm një herë, duke arritur një përqindje mbresëlënëse suksesi prej 72.7%, një nga raportet më të larta ndaj çdo kundërshtari në kampionat. Në sfidat kundër Elbasanit, në 4 ndeshje, Egnatia ka fituar dy herë, barazuar një dhe humbur një, duke ruajtur një bilanc të ekuilibruar me 50% fitore. Me Dinamon, Egnatia ka zhvilluar 19 ndeshje, prej të cilave ka fituar nëntë, barazuar shtatë dhe humbur tre, me një përqindje fitoreje prej 47.4%, që konfirmon rivalitetin e fortë me ekipin kryeqytetas. Përballë Vllaznisë, në 22 ndeshje, Egnatia ka fituar dhjetë, barazuar tetë dhe humbur katër, duke regjistruar një përqindje fitoreje prej 45.5%, një tregues i një bilanci pozitiv ndaj një klubi historik në vend.
EKIPET PROBLEMATIKE –Kur vjen puna te skuadrat e mëdha të Tiranës, bilanci është më i vakët. Me Partizanin, në 21 sfida, Egnatia ka fituar vetëm 5 herë, barazuar nëntë dhe humbur shtatë, me një përqindje prej 23.8% fitore. Ndërsa ndaj Tiranës, në 17 ndeshje, ka arritur vetëm 4 fitore, po kaq barazime dhe nëntë humbje, me 23.5% sukses. Ndaj Teutës, bilanci është më negativi: në 16 takime, vetëm një fitore, gjashtë barazime dhe nëntë humbje, që përkthehet në një përqindje minimale fitoreje prej 6.3%.