Sun, Jun 15, 2025

“E godiste edhe kur ra përtokë…” – Dëshmia tronditëse për vrasjen e Gentiana Hudhrës në Itali nga ish-bashkëshorti: Ajo ishte e pafuqishme

  • PublishedJune 15, 2025

“E godiste edhe kur ra përtokë…” – Dëshmia tronditëse për vrasjen e Gentiana Hudhrës në Itali nga ish-bashkëshorti: Ajo ishte e pafuqishme

Një dëshmi tronditëse e një banoreje të Tolentinos ka hedhur dritë mbi momentet e fundit të jetës së Gentiana Hudhrës, 46-vjeçares shqiptare e cila u vra brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj në mes të rrugës.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur pranë një bar-kafeje në Tolentino, ku një grua dëshmitare e ngjarjes ka rrëfyer:

“Isha në bar kur dëgjova një britmë tmerruese. Dola jashtë dhe pashë një sherr mes një burri dhe një gruaje. Ajo në një moment ra në tokë, e pafuqishme, ndërsa ai vazhdonte ta godiste me këmbë. Thirra menjëherë 118-in, iu afrova dhe pashë shumë gjak. Ai ishte ulur në një stol, pothuajse i kënaqur, dhe thoshte: ‘Unë e bëra, jam mirë. Po pres’.”

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë autoritetet dhe ndihma mjekësore, por Gentiana nuk mundi të mbijetonte. Ndërkohë, autori i dyshuar i krimit u arrestua në vend, ndërsa hetimet janë në vijim.

Mbrëmjen e së njëjtës ditë, në vendngjarje shkuan edhe kryetari i Bashkisë së Tolentinos, Mauro Sclavi, si dhe zv.kryetarja Alessia Pupo, për të shprehur solidaritetin me familjen dhe për të dënuar aktin e rëndë.

“Ka shumë dhimbje në Tolentino në vetëm një javë,” – tha Sclavi, duke përmendur edhe vdekjen tragjike të Gessica Vulpe, 14 vjeçe, e cila humbi jetën pasi u godit nga një furgon, si dhe aksidentin fatal të Alberto Forconit, 60 vjeç.

“Një femicid është shumë. Çfarë po bëhemi? Gentiana ishte një njeri i mirë, kujdestare e dashur dhe e respektuar nga të gjithë. Falënderoj autoritetet që menjëherë organizuan mbështetje psikologjike për dy fëmijët e çiftit. I gjithë komuniteti është pranë tyre.”

Gentiana Hudhra, e ardhur prej vitesh nga Shqipëria, ishte e integruar në komunitetin lokal, kishte blerë banesë në Tolentino dhe ishte e njohur për kujdesin dhe përkushtimin ndaj punës dhe fëmijëve.

Autoritetet italiane kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur motivet e ngjarjes dhe për të analizuar gjendjen mendore të autorit. Po shqyrtohet nëse ai kishte histori trajtimesh psikiatrike dhe nëse kishte shfaqur më parë sjellje të dhunshme. Rasti po trajtohet si vrasje me paramendim dhe me rrethana rënduese.