Humbi jetën tragjikisht në lumë, mjekët nderojnë 14-vjeçarin para se të nisë procedura për dhurimin e organeve
Një moment thellësisht prekës është regjistruar në Spitalin Universitar të Patras, ku mjekët kanë nderuar me një minutë heshtje 14-vjeçarin Spiros, i cili humbi jetën tragjikisht në lumin Arahthos, teksa përpiqej të shpëtonte shokun e tij 12-vjeçar nga mbytja.
Sipas “ERT News”, pak para se të niste procedura për dhurimin e organeve, stafi mjekësor u mblodh në sallën e operacionit dhe qëndroi në heshtje përpara trupit të adoleshentit, në një gjest që shpreh dhimbjen e thellë për humbjen tragjike, si dhe mirënjohjen për vendimin human të prindërve që zgjodhën të dhurojnë organet e të birit.
Procedura për heqjen e organeve nisi në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe përfundoi në mesditë. Veshkat dhe mëlçia e 14-vjeçarit u dërguan për transplantim në Spitalin “Laiko” në Athinë dhe në “Ippokrateio” në Selanik, ku do t’u japin një mundësi të re jete pacientëve në pritje. Ndërkohë, zemra dhe mushkëritë nuk rezultuan të përshtatshme për transplantim. Po ashtu, janë hequr edhe kornet e syve, të cilat do të dërgohen për transplant në spitale të tjera në Athinë dhe Selanik.
Në vijim pritet të nisë edhe procesi i dhurimit të organeve nga trupi i 12-vjeçarit, që humbi jetën pak ditë më vonë.