“Janë bërë pronarë parqesh fotovoltaike, SPAK të hetojë”, PD denoncim: Magazinierët e Salillarit shndërrohen në investitorë dhe koncesionarë
Partia Demokratike ka denoncuar sërish atë që e cilëson si një rrjet të dyshimtë lidhjesh mes individëve të afërt me biznesmenin Pëllumb Salillari dhe strukturave shtetërore.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsion e PD-së, Genta Vangjeli, u shpreh se disa persona të lidhur me Salillarin, të cilët dikur kanë punuar si mekanikë dhe magazinierë, janë shndërruar sot në investitorë të fuqishëm në sektorin energjetik, me prona në parqe fotovoltaike dhe kontrata të rëndësishme publike nëpërmjet koncesioneve.
Vangjeli e cilësoi këtë fenomen si një “magji e zezë ekonomike” që, sipas saj, realizohet përmes mbështetjes dhe përfshirjes direkte të qeverisë.
“Nga punonjës të thjeshtë, pa eksperiencë apo kapital, këta persona janë shndërruar brenda pak viteve në milionerë me koncesione në energji. Kjo nuk është rritje natyrale, por një skemë korruptive e orkestruar nga vetë Edi Rama,” – deklaroi Vangjeli.
Ajo shtoi se këta individë kanë pasur pozita të ulëta ose teknike në administratë, por sot rezultojnë të përfshirë në projekte energjetike me vlera të konsiderueshme financiare dhe me akses të drejtpërdrejtë në kontrata publike.
Partia Demokratike ka bërë thirrje publike SPAK-ut që të nisë hetime të menjëhershme për të zbardhur këtë rrjet të dyshimtë dhe për të ndjekur penalisht çdo rast të abuzimit me fondet publike dhe ndikimit të paligjshëm.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Të nderuar qytetarë…
Në sagën e përrallave 1001 net … me autor Edi Ramën sot do t’ju tregojmë çuditë e radhës ku mekanikë e magazinierë të Pëllumb Salillarit shndërrohen me shkopin magjik të Edi Ramës në investitorë fotovoltaikësh dhe pronarë koncesionesh…
Një javë më parë, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr.309, miratoi ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, në Levan, Fier, nga shoqëria ‘ALBANIA SOLAR POWER’ sh.p.k, me afat operimi 49 vjet dhe fuqi 82 më, i cili kërkon një investim miliona eurosh.
Ndërkohë ky subjekt është regjistruar vetëm 16 muaj më parë, me një kapital 100.000 lekë, ka administrator dhe pronar Engjëll Agalliu dhe asnjë bilanc të publikuar në QKB.
Po si do ta realizojë ky subjekt këtë investim miliona euro, ndërkohë që kapitali të lë për të dëshiruar…
Një gjë është e sigurt, që Engjëll Agalliu ka profesionin e mekanikut për makineri industriale dhe këtë detyrë e ka ushtruar edhe në kompaninë e Pëllumb Salillarit (Salillari shpk).
Ndoshta puthja romantike që vetë kryeministri Rama nuk hezitoi t’i jepte pronarit të Engjëllit, përpara kamerave, solli fat të mirë edhe për vetë Agalliu e kështu Këshilli i Ministrave nxori një VKM ekskluzive vetëm për të.
Gjithashtu, e sigurt është se, përveç vëllait më të vogël të Engjëllit, tek e njëjta kompani, Salillari shpk, punëmarrës ka qenë edhe babai i tyre, Hektor Agalliu, me profesion magazinier, madje aq të suksesshëm kanë qenë punëmarrësit e Salillarit saqë vizioni i babait kapi majat e suksesit duke u shndërruar nga magazinier me pagë modeste, në pronar të subjektit pjesë e koncesionarit për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen e portit të integruar në Triport Vlorë, sipas kontratës koncesionare me të njëjtin objekt të lidhur midis MIE dhe Koncesionarit më 29 Prill 2022, me vlerë të parashikuar të projektit 44.9 milion euro.
Sa mirë kur fati të buzëqesh…
Nga rrogëtar shndërrohesh në koncesionar apo dhe investitor i fuqishëm me projekte miliona e miliona euro…
Ndoshta fati të ndihmon nëse ke qenë njëherë punëmarrës i Pëllumb Salillarit….
Ndoshta fati të ndihmon kur Edi dhe Pëllumbi si bëhet magjia…
Vetëm Spaku nuk e di akoma….