Jo më larg se tre ditë nga rrëzimi i Air India, një tjetër aksident tragjik ajror! Regjistrohen të paktën 7 viktima
Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Indinë veriore, ku një helikopter që transportonte pelegrinë hindu është rrëzuar, duke shkaktuar vdekjen e të shtatë personave në bord.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, vetëm pak minuta pas nisjes së helikopterit nga qyteti i shenjtë Kedarnath, një destinacion i rëndësishëm pelegrinazhi në shtetin Uttarakhand, drejt Guptkashit. Fluturimi ishte planifikuar të zgjaste rreth 10 minuta.
Helikopteri i rrëzuar ishte në pronësi të kompanisë private Aryan Aviation dhe u përplas në një zonë të pyllëzuar, disa kilometra larg itinerarit të zakonshëm të pelegrinazhit, rreth orës 05:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale.
Autoritetet vendase kanë njoftuar se aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike, të cilat kanë përkeqësuar dukshmërinë dhe sigurinë në fluturim. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa pritet një rishikim i protokolleve të sigurisë për fluturimet në këtë rajon malor dhe me terren të vështirë.
Ky incident ndodh vetëm tre ditë pas rrëzimit të një avioni të Air India-s, pranë aeroportit të Ahmedabadit në Indinë veriperëndimore, ku humbën jetën të paktën 270 persona, duke shtuar më tej shqetësimet për sigurinë ajrore në vend.