Sun, Jun 15, 2025

Sulmet e anasjellta në Lindjen e Mesme, Berisha: Koha e diktaturës së Teheranit po mbaron

  • PublishedJune 15, 2025

Sulmet e anasjellta në Lindjen e Mesme, Berisha: Koha e diktaturës së Teheranit po mbaron

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar regjimin iranian si një diktaturë teokratike që po përjeton fundin e saj të merituar.

Në postimin e tij, Berisha thekson se sulmet ajrore të Izraelit në zemër të regjimit në Teheran, të mbështetura nga SHBA, kanë goditur rëndë strukturat kyçe të pushtetit iranian.

“Goditjet në zemër të regjimit nga forcat ajrore izraelite, të mbështetura nga SHBA, si dhe asgjësimi i elitës terroriste të Gardës dhe ushtrisë së Ajetullahëve, sistemeve mbrojtëse, impianteve bërthamore dhe objekteve të tjera strategjike, po çojnë drejt fundit të merituar regjimin diktatorial, obskurantist dhe destabilizues të Teheranit,” shkruan Berisha.

Ai shton se një përmbysje e këtij regjimi përbën një çlirim për popullin iranian dhe një kontribut të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme.

“Partia Demokratike beson se fundi sa më i shpejtë i regjimit të Ajetullahëve, armik i egër i kombit iranian dhe lirive të tij, shënon çlirimin e këtij kombi të madh dhe një fitore të vërtetë për paqen dhe bashkëpunimin në Lindjen e Mesme,” thekson më tej lideri demokrat.