Mazhoranca miraton me 72 vota projektligjin për performancën energjitike të ndërtesave, mbyllet seanca plenare
Është mbyllur seanca plenare e sotme në Kuvend, e shoqëruar sërish me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Debatet u ndezën pas akuzave të deputetëve demokratë, mes tyre edhe Flamur Noka, për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 11 majit nga Partia Socialiste. Nga ana tjetër, mazhoranca kërkoi vijimin normal të punimeve sipas rendit të ditës.
Pavarësisht tensioneve, Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe vetëm një kundër projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”. Kjo nismë synon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e ndërtimit dhe rinovimit të godinave publike dhe private në vend, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për efikasitet energjetik dhe qëndrueshmëri mjedisore.
Deputetët e Partisë Socialdemokrate ishin të pranishëm në sallë dhe votuan pro, ndërsa nga opozita mori pjesë vetëm deputeti Dashnor Sula, i cili ishte edhe i vetmi që votoi kundër.
Projektligji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt objektivave afatgjata të vendit në kuadër të tranzicionit të gjelbër dhe angazhimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës, përfshirë Marrëveshjen e Parisit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.